
Christopher Hill kur u pyet gjatë seancë në Hagë se kur e kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontaktin e parë me UÇK-në, ai tha se është e vështirë që t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, për shkak se ishte e pamundur që të gjeje një udhëheqës aty.
Përveç kësaj, Hill tha se ishte e pamundur që të gjendej ndonjë person që të fliste me autoritet në UÇK. Kurse, për diplomatin Robert Gelbard, ai tha se e quajti UÇK-në terroriste dhe se e sheh si “sinjal” për sulmin ndaj familjes Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kjo është përgjigje e thjeshtë për t’u përgjigjur. Do të duhej të ishte kështu, por nuk është përgjigje e thjeshtë. Problemi i madh natyrisht është se me UÇK-në ishte paaftësia dhe pamundësia për të gjetur një udhëheqje aty, për të gjetur njerëz që flisnin me autoritet aty”, tha Hill.
Veç kësaj, Christopher Hill tha se Robert Gelbard ishte takuar me disa njerëz në Zvicër që pretendonin se ishin udhëheqës të UÇK-së, gjë të cilën thotë se nuk e beson.
“Robert Gelbard i cili kishte mbajtur pozitën që mbajta unë deri që atij i është kërkuar që të përqendrohej tërësisht në Bosnjë – pra bëhej fjalë për maj të 1998-ës, pra ai kishte pasur disa takime me shqiptarë të Kosovës në Zvicër dhe kishte dëgjuar që ata ishin përgjegjës të UÇK-së. Nuk mendoj që kjo ishte e vërtetë dhe nuk ka pasur ndonjë provë që ata ishin në fakt të tillë. Pra, udhëheqës të UÇK-s”, tha ai.
Dëshmitari Hill theksoi se nuk i kujtohet se kush ishin ata persona. Megjithatë, sipas tij, janë bërë përpjekje për të zbuluar se kush ishte në udhëheqje të UÇK-së.
Hill: E vështirë të gjendej dikush me autoritet që të fliste në emër të palës shqiptare
Ndërsa, për njerëzit që ishte takuar Gelbard, sipas dëshmitarit, ishin njerëz që kishin simpati të madhe ndaj UÇK-së si lëvizje e përshpejtuar drejt pavarësisë. Përveç kësaj, ai tha se Gelbard e kishte quajtur UÇK-në terroriste.
“Ai e konsideronte UÇK-në si terroriste. Kjo ishte në shtyp. Kjo ishte koment që ai bëri për shtypin dhe kjo ndodhi menjëherë pak kohë më pas një incidenti ku forcat e sigurisë serbe rrethuan shtëpinë e familjes Jashari dhe për pasojë të gjithë u vranë aty. Ky ishte shpërthim i madh i veprimeve armiqësore pra. Pati shumë kritika për deklaratën e Gelbard se UÇK-ja ishte terroriste dhe kjo njëfarë mënyrë kishte shkaktuar këtë ngjarje të veçantë të shkaktuar nga forcat e sigurisë serbe”, tha.
Hill tha se ndjehej sikur Gelbard kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Megjithatë, ai tha se për këtë nuk ka prova./telegraf







