Në modë gjithçka rikthehet, dhe vera e vitit 2025 po na kthen pas në kohë me një aksesor që dikur e bënte të famshme Jackie Kennedy në rrugët e Parisit: foulard-i. Ky është një lloj shamie e hollë dhe elegante, zakonisht prej mëndafshi, që lidhet mbi kokë apo rreth qafës për një pamje të rafinuar.

Këtë verë, kapelet dhe kasketat po lihen mënjanë. Në vend të tyre, trendi dominues janë foulard-i (shamia elegante) dhe bandana (shamia e lidhur në kokë me stil më të lirë e urban). Ato përdoren jo vetëm për t’u mbrojtur nga dielli, por edhe si pjesë kyçe e stilit të përditshëm. Mjafton një copë e bardhë e thjeshtë, një model me motive vintage apo një shami e punuar me grep (crochet), dhe je gati për të shkëlqyer, si në plazh ashtu edhe në qytet.

Ky rikthim nuk është vetëm nostalgji. Nga Hailey Bieber te Bella Hadid dhe Diane Kruger, shumë ikona stili i kanë kthyer këto shamia në element bazë të veshjeve të verës.

Stili që të shpëton nga vapa dhe rutina. Mund ta lidhësh në kokë si Jackie O, ta vësh rreth qafës si një shall i lehtë, ta përdorësh si brez në bel ose si aksesor për çantën – mënyrat janë të pafundme. Këto shamia të hollë janë të lehta, freskuese dhe mbi të gjitha – elegante.

Nëse po kërkon mënyrën më të thjeshtë për t’u dukur bukur dhe të përballosh temperaturat e larta të korrikut e gushtit, foulard-i dhe bandana janë zgjidhja ideale. Aksesorë të vegjël, por me shumë ndikim në stilin tënd ditor.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu