11 persona, mes tyre fëmijë, u vranë të shtunën në një sulm me raketa në një fushë futbolli në Lartësitë e Golanit të kontrolluara nga Izraeli, njoftoi rrjeti izraelit N12 News. Ky është incidenti më i rëndë përgjatë muajve të fundit të shkëmbimeve të zjarrit mes Izraelit dhe grupeve të armatosura në Liban.
Ushtria izraelite tha se raketa u hodh nga grupi militant libanez Hezbollah. Grupi i mbështetur nga Irani mohoi çdo përfshirje në sulm, i cili dukej se do të marrë një përgjigje të ashpër nga Izraeli.
Autoritetet izraelite thanë më herët se nëntë persona u plagosën rëndë nga një raketë e lëshuar nga Libani që goditi një fushë futbolli në fshatin Druze të qytetit Majdal Shams. Një mjek foli për shkatërrim të madh dhe zjarr në vendngjarje.
Sulmi në fushën e futbollit pasoi një sulm izraelit në Liban që vrau katër militantë të shtunën. Dy burime sigurie në Liban thanë se katër luftëtarët e vrarë në sulmin izraelit në zonën Kfarkila në Libanin jugor ishin anëtarë të grupeve të ndryshme të armatosura, ku të paktën njëri prej tyre i përkiste Hezbollahut.
Hezbollahu mori përsipër të paktën katër sulme, përfshirë sulme me raketa “Katyusha”, në shenjë hakmarrje për sulmet në Kfarkila. Megjithatë, përfaqësuesi i lartë i mediave të Hezbollahut, Mohammad Afif, mohoi përgjegjësinë për sulmin ndaj qytetit Majdal Shams.
Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit nga Siria gjatë luftës në Lindjen e Mesme në 1967 dhe i aneksoi ato në 1981.
Që nga nisja e luftës në Gazë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë kryer sulme të ndërsjella të përditshme.
Nga fillimi i tetorit, sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë më shumë se 450 vetë, shumica anëtarë të Hebzbollahut, por po ashtu rreth 90 civilë dhe jo luftëtarë. Nga pala izraelite janë vrarë 21 ushtarë dhe 13 civilë./VOA