Prokuroria e Posaçme bëri të ditur sot, se hetimet për inceneratorin e Tiranës kishin zbuluar një skemë të pastrimit të mbi 20 milionë eurove, në të cilin rezultojnë të përfshirë disa persona. Për tetë prej tyre ajo ka lëshuar urdhër arreste, të cilat i ishin dërguar për ekzekutim policisë më 12 korrik, por dje, kjo e fundit kishte njoftuar se asnjë prej personave të kërkuar nuk ndodhej në Shqipëri.
Bëhet fjalë për sipërmarrës, Dashamir Ymeraj, Renardo Nallbani dhe Ilir Dedja, drejtuesë të inceneratorit të Tiranës si Denisa Tollkuçi apo dhe ish administratori italian Giuseppe Ciaffaglione, dy hollandezë të lidhur me kompaninë mëmë të shoqërisë që fitoi koncensionin për ndërtimin e impiantit të mbletjeve në kryeqytet Marc Lapat dhe Michael Druijts, si dhe gazetarin e drejtuesin e një kompanie mediatike, Endrit Habilaj. Ata dyshohen për vepra të ndryshme penale, nga “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, te “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas Prokurorisë së posaçme, skema e pastrimit të parave “është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme” dhe është realizuar përmes pagesave të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fantazmë të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash.
Në dhjetor të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme lëshoi 15 urdhërat e parë të arrestit për inceneratorin e Tiranës, duke përfshirë dy sipërmarrësit Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të konsideruar si pronarët e vërtetë, si dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, dhe ish deputetin socialist Alqi Bllako. Të katër ishin përfshirë më herët dhe në rastin e dy inceneratorëve të tjerë.
Hetimet për impiantin e kryeqytetit prekën dhe ish zëvendëskryeministrin Arben Ahmetajt, ndaj të cilit u lëshuar urdhër arresti verën e shkuar.Një prej personave ndaj të cilëve u lëshuan urdhërat e fundit të arrestit, Ilir Dedja, rezulton të jetë mjaft i afërt me të. Me aktivitet biznesi në Zvicër, ai mendohet të ketë dalë garant për qëndrimin e zotit Ahmetaj në këtë shtet, ndërkohë që pak vite më parë kishte punësuar dhe bashkëshorten e tij. Një nga kompanitë e Dedjes, ka marrë qindra mijëra euro pagesa nga kompania e inceneratorit.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme janë në vijim. Muajt e fundit në pyetje janë marrë, dhe funksionarë të tjerë të lartë shtetërorë që nga kryebashkiaku Erion Veliaj, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të ministrave, Engjëll Agaçi apo dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku./VOA