
Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka nisur hetim pas raportimeve për ndotje të madhe të ujit të pijshëm, që prek nevojat bazë të banorëve në zonën e qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, është hapur një lëndë për të verifikuar shkaqet e ndotjes dhe për të identifikuar krimet e mundshme kundër mjedisit dhe natyrës. Në koordinim me Ministrinë e Brendshme, përkatësisht DPB Struga, policia gjyqësore është urdhëruar të kryejë inspektime në fshatin Shum, ku ndodhen burimet që furnizojnë me ujë të pijshëm qytetin.
Në procesin e inspektimit do të përfshihen edhe shërbimet kompetente të mjedisit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Qendra për Shëndetin Publik, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se do të ndërmerren edhe veprime të tjera verifikuese.
Hetimi synon të zbardhë rrethanat e ndotjes dhe të garantojë sigurinë e furnizimit me ujë për banorët e Strugës.



