
Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në Kopshtin Nr. 1 në qytetin e Gramshit, ku disa fëmijë u helmuan me salmonelë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka dalë me një reagim zyrtar që hedh dritë mbi burimin e kontaminimit.
AKU njofton se pas verifikimeve të gjurmueshmërisë dhe analizave laboratorike, është konfirmuar se vezët nuk kanë qenë të infektuara në origjinë. Mostrat e marra nga subjekti prodhues dhe nga furnizuesi i kopshtit kanë rezultuar negative për praninë e bakterit Salmonelë spp.
“Mostrat e marra në subjektin prodhues të vezëve kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp. Edhe ferma e shpendëve është testuar në muajin maj dhe rezultati ka qenë negativ”, thuhet në deklaratën e AKU.
Megjithatë, analizat e kryera në ambientet e Kopshtit Nr. 1 Gramsh kanë zbuluar prezencën e salmonelës. Autoriteti sqaroi se kontaminimi nuk ka ardhur nga vetë produkti (veza), por dyshohet se është shkaktuar në ambientet e brendshme të kopshtit, përmes faktorëve të tjerë jo të lidhur me zinxhirin ushqimor.
“Bazuar në të dhënat e deritanishme, mendohet se kontaminimi ka ndodhur në ambientet e kopshtit dhe jo si pasojë e ndonjë problemi me vezët e përdorura”, përfundon reagimi i AKU.
Hetimet mbi ngjarjen vijojnë, ndërsa pritet një raport përfundimtar që të përcaktojë saktësisht shkaqet e infeksionit dhe përgjegjësitë institucionale. Ndërkohë, prindërit dhe komuniteti lokal kërkojnë më shumë masa sigurie në institucionet që kujdesen për fëmijët.