
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka theksuar se çështjet e pazgjidhura dypalëshe me Greqinë mund dhe duhet të adresohen përmes dialogut të hapur dhe konstruktiv. Në një intervistë për gazetën greke TA NEA, pak orë para vizitës së tij në Athinë dhe takimit me homologun grek, Giorgos Gerapetritis, Hasani theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të zgjidhur me frymë bashkëpunimi çdo çështje të hapur.
I pyetur nëse delimitimi i zonave detare është prioritet i axhendës dhe nëse do të çojë në paraqitjen e çështjes në Gjykatën e Hagës, siç është rënë dakord që në vitin 2020, ministri Hasani konfirmoi se qeveria shqiptare e mbështet këtë qasje, duke theksuar se është “e hapur dhe plotësisht e përkushtuar për të nxitur dialogun mbi të gjitha çështjet e pazgjidhura”.
“Ne marrim pjesë në këto diskutime me respekt të ndërsjellë, me qëllim arritjen e zgjidhjeve të drejta dhe të qëndrueshme, që pasqyrojnë interesin tonë të përbashkët dhe stabilitetin rajonal,” tha ai.
Hasani vuri në dukje se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zhvillohen në një frymë pozitive dhe progresive, të rrënjosura në partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, si dhe në synimet e përbashkëta për integrim në Bashkimin Evropian.
“Greqia mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë. Dy popujt tanë kanë ndarë histori, kufij dhe shkëmbime kulturore për shekuj me radhë, ndaj kjo lidhje e thellë njerëzore duhet të forcohet përmes zgjidhjes së çështjeve të hapura,” theksoi ai.
Ministri shqiptar e konsideron vizitën në Athinë si një mundësi për të riafirmuar angazhimin për dialog të vazhdueshëm dhe për të ndërtuar mbi themelet ekzistuese të bashkëpunimit. Ai vlerësoi veçanërisht mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe theksoi potencialin për thellimin e bashkëpunimit në fusha si energjia, tregtia dhe nismat rajonale.
Duke folur për rrugën drejt anëtarësimit në BE, Hasani tha se Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare, me katër grupe negociuese që tashmë po avancojnë në fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe administrata publike.
“Jemi të përkushtuar për përshpejtimin e reformave, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe forcimin e institucioneve. Qëllimi ynë është të fillojmë mbylljen e kapitujve të negociatave deri në vitin 2027 dhe të jemi gati për anëtarësim deri në vitin 2030,” deklaroi ai.
Në fund, ministri Hasani u pyet për mbështetjen e madhe që Partia Socialiste mori nga emigrantët shqiptarë në Greqi në zgjedhjet e 11 majit. Ai tha se kjo tregon qartë besimin e diasporës në lidershipin e kryeministrit Rama dhe në vizionin për një të ardhme evropiane për Shqipërinë.
–