
Shqipëria pritet të përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve të motit pas dy ditësh, si pasojë e një qendre të re ciklonare që po fuqizohet në Mesdheun perëndimor dhe pritet të përfshijë gradualisht gjithë Ballkanin.
Paralajmërimi është dhënë nga meteorologia e njohur Tanja Porja, e cila foli në emisionin “Dita jonë”, duke sqaruar se stuhia ciklonare që po formohet mbi Italinë qendrore dhe perëndimore do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në territorin shqiptar.
“Një qendër ciklonare është e pozicionuar prej disa ditësh në Italinë jugore, kryesisht në Sicili, por ajo po zvogëlohet dhe po zhvendoset drejt juglindjes, duke devijuar më shumë nga Greqia. Kjo stuhi e këtyre ditëve nuk na prek”, shpjegoi Porja.
Sipas saj, shqetësuese është një tjetër sistem ciklonar që po fuqizohet në Mesdheun perëndimor.

“Një tjetër stuhi ciklonare po fuqizohet në Mesdheun perëndimor. Ajo do të na prekë edhe neve, përgjithësisht Ballkanin, duke prodhuar reshje me intensitet të paktën mesatar për të gjithë territorin shqiptar”, theksoi meteorologia.
Porja paralajmëroi se kushtet e motit do të përkeqësohen ndjeshëm, me reshje shiu në shumicën e qarqeve, ndërsa në zonat malore nuk përjashtohet edhe rreziku i problemeve lokale për shkak të sasisë së ujit.
Autoritetet dhe qytetarët këshillohen të ndjekin përditësimet e motit në ditët në vijim, pasi situata mund të evoluojë në varësi të forcimit të mëtejshëm të qendrës ciklonare, e cila në parashikime po identifikohet edhe me emrin “Harry”.






