U hap sot për qarkullim aksi i ri rrugor Thumanë-Kashar, prej 21 kilometrash, autostradë e Kategorisë A të Bashkimit Europian, segmenti i parë i Korridorit Blu, që i paraprin tre kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier, të cilat nisin nga puna për disa javë, ndërkohë që po brenda pak javëve rihapet gara për segmentin Milot – Balldren.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në hapjen e rrugës së re, së bashku me ZëvendësKryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ku u takuan me stafin e punonjësve të angazhuar në ndërtimin e rrugës, si dhe u përshëndetën me drejtuesit e automjeteve të para që kaluan përmes këtij aksi.
Një vepër e përfunduar në kohë rekord, e cilësoi Zëvendëskryeministrja Balluku, rrugën e përfunduar në 15 muaj.
“Jemi në momentin e hapjes së autostradës së parë të tipit A në Republikën e Shqipërisë. Aksi Thumanë-Kashar 21 km, e cila është e disponueshme, duke nisur nga sot për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Unë do të thoja dhe diçka tjetër që ka të bëjë me instrumentin financiar që kemi përdorur për këtë rrugë dhe e kam thënë disa herë gjatë ditëve të fundit dhe e përsëris. Këtu kemi përdorur formatin e instrumentit financiar të koncesionit, një koncension 35 vjeçar. Investimi këtu është 271 milion euro të gjitha të disponueshme nga koncensionari privat. Në ndërkohë, pagesa e kilometrit është vendosur nga studimi WBIF dhe kështu do të jetë në të gjithë segmentin e Korridorit Blu. Duhet të themi që është një nga instrumentat më të volitshëm sa i përket shtetit shqiptar, duke qenë se ne nuk kemi angazhuar asgjë përveç se pjesën e shpronësimeve që i takon Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve. Mirëmbajtja dhe gjithçka tjetër qëndron në barrën e koncensionarit. Na është dashur vetëm 15 muaj që ta përfundojmë këtë vepër që është komplet rekord. Ky është stafi që kanë punuar me ne. Parametrat e sigurisë janë të gjitha të përmbushura. Duke nisur nga sot i dorëzohet për mbikëqyrje edhe Policisë Rrugore pasi këtu kemi tabela 130 km/h shpejtësi, tabela që nuk i kemi në asnjë aks tjetër në Republikën e Shqipërisë. Duam që të kemi kujdes me të gjithë ndjekjen e drejtuesve të automjeteve.”– shpjegoi Zëvendëskryeministrja Balluku,e cila theksoi ndër të tjera se përveç kësaj rruge janë ndërtuar edhe rrugët dytësore
“E rëndësishme të themi është që bashkë me këtë rrugë janë ndërtuar dhe rrugët dytësore të cilat janë të disponueshme, jo vetëm për të lidhur komunitetet me këtë autostradë, por nga ana tjetër për t’i dhënë zgjedhje çdo drejtuesi automjeti nëse do të zgjedhë që të kaloje më pagesë përmes kësaj rruge, pra autostradës pjesë e Korridorit Blu e kategorisë A ose më pas të zgjedhë rrugët dytësore, të cilat do të jenë pa pagesë.
Ky është një nga kriteret që ne kemi vendosur për të gjitha kontratat koncensionare, edhe ato që do të lidhen apo që po lidhen në këto momente siç është pjesa e Kashar-Lekaj apo Lekaj- Fier apo edhe Thumanë-Milot. Në ndërkohë, siç ju kemi thënë, jemi gati në ditët në vazhdim për të hapur garën që do të lidhë Milotin me Balldrenin, duke i dhënë kështu një dimension tjetër gjithë Korridorit dhe më pas mbetet dhe loti i fundit, nga Balldreni deri në Muriqan.
Sigurisht, ne e kemi thënë të gjithë këto ditë, kjo është një rrugë që nuk i shërben thjesht trafikut i cili prodhohet nga drejtuesit e automjeteve shqiptare por të gjithë turizmit duke pasur parasysh që është një korridor i cili lidh veriun me jugun dhe sigurisht ka edhe një lidhje me Korridorin e VIII, i cili është një tjetër korridor që ne po ndërtojmë në këto momente.” – u shpreh Balluku.
Ndërsa Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se përvëç lehtësimit të komunikimit për komunitetin, në mënyrë të veçantë rruga i shërben turizmit.
“Praktikisht në tre portat hyrëse të Shqipërisë që vijnë nga veriu, vetëm për 5 muajt e parë, Murriqan- Han i Hotit dhe Morinë, ne kemi një rritje 15- 75 % krahasuar me vitin e kaluar që hyjnë nga kjo pikë, nga të gjithë, edhe nga rajoni sidomos ata që vijnë nga Europa, nga Kroacia edhe më tutje. Domethënë është një rrugë që i shërben patjetër komunitetit, por po të kemi parasysh fluksin në rritje të automjeteve, i shërben sidomos turizmit. Edhe për pasojë edhe komunitetit, që me hotelet, agroturizmet dhe bujtinat që ka në të gjithë zonën e veriut, do të furnizohet më shpejt, më mire, do të shpëtojnë nga pritjet e gjata.” – u shpreh ajo.
Kryeministri Rama tha se infrastruktura të tilla i paraprijnë vizionit për Shqipërinë 2030.
“Kjo rrugë është një vend ku të gjithë ata që duan ta prekin me syrin e imagjinatës çfarë është Shqipëria 2030 mund ta shohin sepse brenda kësaj periudhe e gjithë rruga, nga lart në Muriqan e deri në Vlorë do të jetë kështu, ky është Korridori Blu dhe ndërkohë edhe Korridori i VIII do të jetë tërësisht i përfunduar e po ashtu, – pasi kam vënë re që ka shumë komente për pjesën e rrugës Tiranë-Durrës dhe pjesën e rrugës së vjetër të Ndroqit, – shumë shpejt do të fillojë edhe ai projekt dhe autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet ndërkohë që rruga e vjetër e Ndroqit do të mbetet ajo që është, por do të jetë një rrugë turistike, panoramike, e cila do të mundësojë një kalim alternative, por dhe nuk diskutohet një qarkullim shumë më të këndshëm në atë segment.” – u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se edhe punimet për tunelin e Murrizit janë në rrugë të mbarë, pavarësisht problematikave të shumta me gjeologjinë e tokës.
“Dhe një gjë tjetër, se ti drejton qarkun e Dibrës, por duke qenë se me dibranët rri përditë, mbase e ke merakun të menaxhuar në mënyrë të përditshme, unë i kam shumë merak dibranët se i kemi me shumë rëndësi për të gjithë atë zone, e cila tanimë po ndryshon përditë. E para, që tuneli i Murrizit është fiksimi por ndërkohë është një fiksim në luftë me gjeologjinë, prandaj nëse tuneli i Llogarasë filloi më mbrapa dhe mbaroi më përpara, kjo erdhi vetëm si rezultat i gjeologjisë. Në Murriz ne po ecim dhe nuk duam të flasim, nuk duam të vëmë afate pasi nuk duam të kemi më befasira të gjeologjisë brenda tunelit, por nëse edhe fuqia e zotërve të Dibrës do të na ndihmojë, ne do kemi tunelin e Murrizit përpara përfundimit të vitit dhe të gjithë dibranët mund të mblidhen atje në sofrën e madhe dibrane për Vit të Ri. Ndërkohë që, e dyta, kam parë që është ndarë një lajm sipas të cilit rruga e Arbrit do të bëhet me pagesë. Rruga e Arbrit nuk do të jetë me pagesë, nuk do të ketë pagesë për rrugën e Arbrit.” – u shpreh Kryeministri Rama.

yacht hotel sarande

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu