
Hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli i Llogarasë.
“Ky projekt strategjik i cili lidh Vlorën me rivierën shqiptarte është rihapur mëngjesin e kësaj të shtune. Ky tunel do të qëndrojë i hapur pa pagesë deri në datën 15 shtator”, raporton gazetarja e Tv Klan Greta Haskaj.
Me një gjatësi prej 6 km dhe lartësi 4.8 metra ai shkurton ndjeshëm distancën drejt bregdetit të jugut të vendit.
“Shqipëria është shumë e bukur dhe ushqimi shumë i mirë”, shprehet një turiste e huaj.
“Investim shumë i mirë”, shprehet një tjetër.
“Vij për pushime. Shqipëria është një vend shumë i bukur. Ne do qëndrojmë 9 ditë”, thekson një tjetër turist i huaj.
“Një mundësi shumë e mirë si për ne, ashtu edhe për turistët.”
“Mua më gëzon një fakt që Shqipëria çdo ditë e më shumë po zhvillohet dhe hera e parë që kaloj kësaj rruge jam i pasionuar.”
Me një shërbim 24 orësh pranë tunelit do të qëndrojnë në gatishmëri edhe një grup i zjarrfikësve.
“Tuneli i Llogarasë është 24 orë në masa të sigurta nga mbrojtja nga zjarri, apo çdo lloj incidenti që mund të ndodhi”, shprehet Luan Kapaj, kreu i Shërbimit Zjarfikës, Vlorë.
Tuneli përshkohet për vetëm 7 minuta duke shmangur kthesat e shumta të Qafës së Llogarasë. Ai u hap për kalim që në Korrik të vitit të kaluar me qëllim lehtësimin e fluksit të automjeteve gjatë sezonit turistik, për tu mbyllur në nëntor me qëllim përfundimin e të gjitha punimeve të nevojshme.
Ai mbetet një nga investimet më të rëndësishme në jug të vendit dhe pritet të këtë një impakt pozitiv për turizmin e kësaj zone, një nga më të frekuentuarat nga turistët vendas dhe të huaj.
Tv Klan