Autoritetet malazeze kanë njoftuar zhvillimin e një proteste nga Shoqata e Kamionistëve të Republikës së Malit të Zi, e cila do të nisë më 26 janar 2026, në orën 11:30, dhe do të zgjasë për 48 orë. Për arsye sigurie, është vendosur ndalimi i qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë nga Shqipëria drejt Malit të Zi.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë periudhës së protestës nuk do të lejohet lëvizja e kamionëve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Malit të Zi, me qëllim shmangien e bllokimit të rrugëve dhe incidenteve të mundshme.

Në akset rrugore që të çojnë drejt kufirit, do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet e vogla, mjetet e emergjencës, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve.

Policia Kufitare u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë për mirëkuptim dhe respektim të kufizimit të lëvizjes, duke theksuar se masa është e përkohshme dhe synon garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së trafikut gjatë zhvillimit të protestës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu