Armëpushimi i pritshëm midis Izraelit dhe Hamasit filloi të zbatohet të dielën, pas një vonese prej rreth tri orësh, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se nuk do të fillonte nëse Hamasi nuk siguronte një listë të tre pengjeve që pritet të lirohen të dielën.
“Kryeministri udhëzoi IDF-në (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) që armëpushimi, i cili supozohet të hyjë në fuqi në orën 8:30 të mëngjesit, nuk do të fillojë derisa Izraeli të ketë listën e të rrëmbyerve që Hamasi është zotuar ts sigurojë”, tha të dielën zyra e kryeministrit.
Hamasi përfundimisht dorëzoi emrat dhe Izraeli tha se armëpushimi do të fillonte në orën 11:15, sipas kohës lokale.
Tre pengjet e para izraelite që pritet të lirohen më vonë janë 31 vjeçari Doron Shtainbrecher, dy britaniko-izraelit Emily Damari, 28 vjeç dhe 24-vjeçari Romi Gonen.
Hamasi arsyetoi vonesën për shpalljen e emrave me shkaqe “teknike”, duke shtuar në një deklaratë se po “ritheksonte angazhimin e tij” për marrëveshjen e armëpushimit.
Armëpushimi do të fillojë të dielën në mëngjes në orën 8:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale, thanë të shtunën ndërmjetësuesit nga Katari, pasi kabineti i Izraelit votoi për miratimin e marrëveshjes për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve.
Pas një takimi që zgjati më shumë se gjashtë orë në mëngjesin e së shtunës, qeveria izraelite ratifikoi marrëveshjen që mund të çojë në fundin e luftës 15-mujore me Hamasin në enklavën e rrethuar të Gazës.
Lufta në Gaza filloi kur Hamasi kreu një sulm terrorist në Izrael më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer rreth 250 veta. Nga këta pengje, pak më pak se 100 mendohet se mbeten në duart e Hamasit, por rreth një e treta besohet të kenë vdekur.
Autoritetet e Gazës thonë se rreth 47,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në operacionet e mëvonshme ushtarake izraelite. Pa dhënë prova, Izraeli thotë se numri i të vdekurve përfshin mijëra militantë të vrarë.
Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti, të cilët kanë ndërmjetësuar negociatat midis Izraelit dhe Hamasit për muaj të tërë, njoftuan armëpushimin të mërkurën.
Armëpushimi do të fillojë me një ndalim disa javësh të luftimeve dhe lirimin e dhjetëra pengjeve izraelitë dhe qindra të burgosurve palestinezë.
Tridhjetë e tre nga 98 pengjet e mbetura izraelite, duke përfshirë gra, fëmijë, burra mbi 50 vjeç dhe robër të sëmurë dhe të plagosur, pritet të lirohen në këtë fazë. Në këmbim, Izraeli do të lirojë pothuajse 2000 palestinezë nga burgjet e tij./ VOA, BBC, France-Presse.