
Dhimbja në familjen Dhimaku, ku humbën jetën dy motrat në aksidentin e së dielës në mbrëmje, është shumë e madhe. Elvisa 22-vjeçare dhe Rezarta 20 vjeç ka lënë një boshllëk të madh në familje dhe në të gjithë ato që i njihnin.
Mes dhimbjes së madhe e me lot në sy, halla e vajzave rrëfen sakrificat e dy motrave, të cilat bënin dy punë për kurimin e vëllait 7-vjeçar i cili vuan nga leucemia. Halla tregon se ai ende nuk e di që dy motrat nuk jetojnë më.
Mbrëmjen e së dielës, kur ndodhi edhe aksidenti tragjik, halla tregon se dy vajzat ishin nisur për shitur misra në Sarandë, pikërisht për të siguruar disa të ardhura më shumë për t’i ardhur në ndihmë vëllait të sëmurë.
“Jetojmë në këtë dhimbje kaq të madhe. 2 çupat ikën nuk kthehen më. Në mbrëmje kishin ardhur nga puna, bënin 2 punë për shërimin e vëllait se s’kishin mundësi. Erdhën pushuan dhe u nisën prapë për punë. Në Sarandë shisnin misra dhe gjëra të fshatit. Ato ikën, dhimbjen e kemi. Kanë vëllanë e vetëm, ai ishte shumë i lidhur me to, po ta marrë vesh…e kemi larguar nga shtëpia. Sadopak kërkojmë ndihmë që djali të shkojë në një spital më të specializuar që të na shpëtojë”, shprehet Shahidja, halla e vajzave mes lotësh.
Djali 7-vjeçar ende nuk është në dijeni që motrat e tij kanë ndërruar jetë. Të gjithë familjarët me dhimbje kërkojnë ndihmë për kurimin e tij, i cili vuan nga leucemia./Oranews