Hagë, 15 janar 2026 – Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë kanë njoftuar se deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt.

Ish-eprorët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas rendit të ditës, më 9 shkurt deklaratën përmbyllëse do ta mbajë Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërsa më 10 shkurt do të flasë mbrojtësi i viktimave.
Më 11 shkurt është paraparë deklarata përmbyllëse e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit, ndërsa më 12 shkurt ajo e Kadri Veselit.
Më 13 shkurt radhën do ta ketë mbrojtja e Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ndërsa më 16 shkurt do të vijojë deklarata përmbyllëse e ekipit mbrojtës të Krasniqit, e ndjekur nga pyetjet e mundshme të trupit gjykues.

Më 18 shkurt, sipas Dhomave të Specializuara, pritet të ketë përgjigjet përfundimtare të palëve dhe deklaratat e të akuzuarve, megjithëse rendi i ditës mund të ndryshojë.

Para mbajtjes së deklaratave përmbyllëse, palët duhet të dorëzojnë dosjet përfundimtare deri më 30 janar. Pas kësaj, trupi gjykues ka tre muaj afat për marrjen e vendimit, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë, apo më gjatë në raste të jashtëzakonshme.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023. Prokuroria ka thirrur 125 dëshmitarë, ndërsa 117 të tjerë kanë dhënë dëshmi me shkrim.

Në fazën e mbrojtjes, ekipet ligjore të Thaçit dhe Krasniqit paraqitën dëshmitarë, përfshirë zyrtarë të lartë perëndimorë, mes tyre ish-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit James Rubin dhe gjeneralin amerikan në pension Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999. Veseli dhe Selimi nuk paraqitën prova mbrojtëse.

Ndërkohë, Hashim Thaçi përballet edhe me një çështje të veçantë për pengim të drejtësisë, për të cilën gjykimi pritet të nisë më 24 shkurt 2026.

Akuzat

Sipas aktakuzës, katër ish-udhëheqësit e UÇK-së ngarkohen me përgjegjësi personale dhe komandimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasjen e mbi 100 viktimave, paraburgime të paligjshme dhe torturim. Ata akuzohen gjithashtu se ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, me synim ushtrimin e kontrollit në Kosovë përmes dhunës dhe frikësimit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale, janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe funksionojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu