Në kuadër të një nisme të veçantë rajonale, “Hackathon & Investment Forum EU–WB6” ka bashkuar të rinj të pasionuar pas teknologjisë dhe inovacionit, sipërmarrës e investitorë nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian, me synimin për të nxitur zhvillimin digjital të rajonit.
Ky forum ofron një platformë bashkëpunimi për startup-et dhe krijuesit që duan të zhvillojnë ide dhe zgjidhje teknologjike me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimeve publike, infrastrukturës dhe inovacionit.

Gjatë hapjes së aktivitetit, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e krijimit të një hapësire bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe komunitetit të inovatorëve. Ai vlerësoi rolin e institucioneve si Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Agjencia e Ekselencës, në ndërtimin e një ekosistemi që mbështet zhvillimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

“Duam që startup-et dhe inovatorët të kenë mundësi të aksesojnë institucionet shtetërore, të shohin nga afër problematikat dhe të përdorin të dhënat si bazë për zgjidhje përmes inteligjencës artificiale,” – u shpreh Rama, duke shtuar se qeveria do të hapë dyert për këtë bashkëpunim dhe do të krijojë një akselerator të fuqishëm për mbështetjen e ideve të reja.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu Senida Mesi për angazhimin e saj në organizimin e eventit dhe ministren Delina Ibrahimaj, e cila do të vijojë përpjekjet për fuqizimin e sektorit të inovacionit, si dhe drejtoreshën e AKSHI-t, Linda Karçanaj, për kontributin në transformimin digjital të administratës publike.

Në këtë edicion të “Hackathon & Investment Forum EU–WB6” u paraqitën 161 ide inovative, nga të cilat disa do të përzgjidhen për fazën finale, ndërsa fituesi do të përfaqësojë Shqipërinë në një garë ndërkombëtare në Finlandë.

Në përmbyllje, Rama u shpreh se teknologjia dhe inteligjenca artificiale janë mundësia më e madhe që vendet e rajonit të kapërcejnë pengesat tradicionale të zhvillimit dhe të bëhen pjesë aktive e progresit europian.

“Sot kemi shansin të bëjmë kapërcime të mëdha, sepse teknologjia digjitale na jep mundësinë të konkurrojmë me vendet më të zhvilluara. Ju jeni kapitali strategjik i vendit tonë,” – përfundoi ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu