
Deputetja socialiste Sara Mila ka reaguar me një postim prekës pas lajmit të ndarjes nga jeta të ish-kryetarit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
“Sot, me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano”, shkruan Mila, duke ndarë një kujtim të fëmijërisë që e lidhi për herë të parë me figurën e tij.
Ajo rrëfen se, kur ishte vetëm 8 vjeçe, gjatë një vizite të Fatos Nanos në familjen e saj, ai i kishte thënë me një buzëqeshje të qetë:
“Ti do bëhesh vajzë e madhe… jo thjesht e rritur, por e madhe. Mbaje mend nga unë.”
“E çuditshme sa shumë peshojnë disa fjalë kur i kthen pas në kohë. Ato mbetën me mua, si një ndjenjë besimi dhe frymëzimi që në vegjëli,” shton deputetja.
Sara Mila kujton gjithashtu momentin e parë kur hyri në selinë e PS-së, ku imazhi i Fatos Nanos i transmetonte qetësi, vetëbesim dhe një ndjesi familjariteti.
“Ishte modern në mendim, në sjellje dhe në mënyrën si e kuptonte kohën. Për një brez më të ri, si unë, ishte e lehtë të asocioheshe me të,” shkruan ajo.
Deputetja e përmbyll mesazhin me një dedikim të ndjerë:
“Sot e përcjell me nderim një nga ata njerëz që nuk ikin kurrë plotësisht, sepse kanë lënë pas një epokë, një frymë dhe një besim që vazhdon të jetojë tek ne, nëpërmjet trëndafilit të kuq. 🌹
I paharruar, Fatos Nano!”
 
            
 
	