Forcat e armatosura të Bolivisë morën nën kontroll të mërkurën sheshin kryesor të kryeqytetit dhe një autoblindë hyri me forcë në portën kryesore të pallatit presidencial, e pasuar nga njësi ushtarake. Presidenti i majtë i vendit, Luis Arce foli për një grusht shteti ndaj qeverisë dhe kërkoi mbështetje ndërkombëtare.
Më herët, presidenti Arce denoncoi “mobilizimin e parregullt” të disa prej njësive ushtarake në La Paz dhe ish-udhëheqësi tjetër i majtë Evo Morales akuzoi për organizim puçi, gjeneralin Juan Jose Zuniga, i cili ishte liruar rishtazi nga detyra.
Ushtarë të armatosur rëndë dhe autoblinda u panë të mblidhen në sheshin qendror, Plaza Murillo, ndërsa një autoblindë u pa të shtyjë portën e hekurt në hyrje të pallatit presidencial, që ndodhet po në këtë shesh, dhe ushtarët hynë brenda.
“Sot vendi përballet me një përpjekje për grusht shteti. Sot vendi përballet sërish me interesa që dëmtojnë demokracinë në Bolivi”, tha presidenti Arce nga brenda pallatit presidencial, ndërsa ushtarët gjendeshin në hyrje. “Sot i bëjmë thirrje popullit bolivian. Populli të organizohet dhe të mobilizohet kundër grushtit të shtetit në mbrojtje të demokracisë”.
Më herët, gjenerali Juan Jose Zuniga foli për një kanal televiziv lokal. “Tre shefat e shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura kanë shprehur zhgënjimin tonë. Do të ketë një kabinet të ri qeveritar, me siguri që gjërat do të ndryshojnë, por vendi ynë nuk mund të vazhdojë më në këtë mënyrë”, tha ai.
Gjenerali Zuniga foli me gazetarët në shesh, përpara se forcat ushtarake të sulmonin pallatin presidencial.
“Ndalni shkatërrimin, ndalni varfërimin e vendit tonë, ndalni poshtërimin e ushtrisë sonë”, tha ai, i veshur me uniformë dhe i rrethuar nga ushtarë, ndërsa këmbënguli se veprimet që po ndërmerreshin kishin mbështetjen e publikut.
Morales, i cili është distancuar publikisht nga presidenti Arce, megjithëse i përkasin të njëjtës lëvizje socialiste, tha se mbështetësit e tij do të mobilizoheshin në mbështetje të demokracisë.
Ai e akuzoi gjeneralin Zuniga për përpjekje për organizim të grushtit të shtetit dhe shpalli një ndalim të përgjithshëm të punës dhe bëri thirrje për bllokimin e rrugëve kryesore.
“Nuk do t’i lejojmë forcat e armatosura të dhunojnë demokracinë dhe të frikësojnë popullsinë”, tha zoti Morales. VOA