Në një intervistë për Euronews Albania, artistja Blerta Kambo ka sqaruar se instalacioni i vendosur në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar synon të sensibilizojë publikun për luftën e grave ndaj kancerit të gjirit. Sipas saj, zhurma dhe polemikat e krijuara rreth veprës janë të qëllimshme.

Instalacioni i Kambos ka ngjallur reagime të shumta, ku një pjesë e opinionit publik e ka krahasuar figurën e gruas pa flokë me një person transgjinor, ndërsa të tjerë pretendojnë se vepra cënon mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar.

Për Euronews Albania, artistja theksoi se instalacioni ka për qëllim të përçojë mesazhin e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit dhe sfidave që përballin gratë e prekura.
“Është një instalacion i krijuar mbi mozaikun origjinal, nuk e prek mozaikun. Ka për qëllim sensibilizimin për kancerin e gjirit dhe është një dedikim për gratë që kanë kaluar dhe po kalojnë këtë betejë. M’u duk e përshtatshme që figura e Shqipërisë në mozaik të ishte ajo që mbarte trupin e kësaj force”, u shpreh Kambo.

Ajo shtoi se mozaiku nuk është prekur, pasi instalacioni qëndron rreth 10 centimetra larg strukturës origjinale dhe në pjesën e pasme ndodhet një shtresë mbrojtëse.
“Puna ka nisur në korrik. Doja të sigurohesha që mozaiku nuk cënohej. Është një instalacion i përkohshëm që do të qëndrojë 10 ditë. Është bërë një matje shumë e detajuar e gjithë procesit,” tha artistja.

Kambo theksoi se zhurma e krijuar është e qëllimshme dhe madje e rrezikshme:
“Dezinformimi ndodhi sepse, për fat të keq, disa individë qëllimisht kanë gënjyer duke thënë se instalacioni përfaqëson një transgjinore, duke përdhosur imazhin që në fakt duhet të përfaqësonte një grua në fazën e kimioterapisë.”

Instalacioni shoqërohet me një kod që të çon në faqen shpjeguese të projektit, dhe deri tani mbi 3,000 persona e kanë skanuar. Vepra është e përkohshme dhe do të hiqet të shtunën, ndërkohë që momenti i çmontimit do të shoqërohet me një performancë muzikore nga artistja arbëreshe./euronews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu