Një protestë e pazakontë është regjistruar në Kuçovë, ku një grua u ngjit në majë të një kulle pasi pretendon se u pushua nga puna pa asnjë shpjegim.

Elona Bregaj, e cila thotë se ka punuar për rreth 15 vite, deklaroi se bashkia dhe kompania nuk i dhanë asnjë arsye për largimin nga puna, ndërsa shtoi se paga shpesh vonohej.

“Është hera e dytë që po ma bën kjo kompania që na hoqi nga puna. Çfarë kam bërë unë që më heq mua nga puna? Të paktën më jep një justifikim,” u shpreh ajo.

Sipas saj, përpjekjet për të takuar kryetarin e bashkisë rezultuan të pasuksesshme, ndërsa askush nuk i ofroi një zgjidhje.

“Asnjë, nuk të japin rrugëzgjidhje. Kjo bashkia jonë është kot. Këtu nuk ka kontroll,” tha Bregaj.

Gruaja theksoi se është nënë e dy fëmijëve të mitur dhe se bashkëshorti është i sëmurë, duke e bërë situatën ekonomike edhe më të vështirë.

“Unë jam majë kullës… tani vijnë këtu, të luten hajde zbrit poshtë. Tani hajde se po futesh në punë thonë. Kjo është zgjidhja, t’i hipësh majë kullës edhe të futesh në punë,” deklaroi ajo.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe përfaqësues të bashkisë, ndërsa po punohet për të bindur gruan të zbresë dhe për të zgjidhur situatën pa incidente.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu