Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur dyshime mbi gatishmërinë e NATO-s për të mbrojtur SHBA-të në rast rreziku, duke deklaruar se, ndonëse Amerika do të ishte e para që do të vinte në ndihmë aleatëve, ai nuk është i bindur se e njëjta gjë do të ndodhte në të kundërtën.

Gjatë një konference të gjatë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh:
“E di që ne do të vraponim për t’i ardhur në ndihmë NATO-s, por sinqerisht pyes veten nëse ata do të bënin të njëjtën gjë për ne.”

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment tensioni diplomatik, pasi ai ka përsëritur se nuk ka “asnjë kthim pas” nga plani për marrjen nën kontroll të Groenlandës, të cilën e cilësoi si “jetike për sigurinë kombëtare dhe atë globale”.

Ndërkohë, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se bota po hyn në një fazë të rrezikshme, duke folur për një “zhvendosje drejt një bote pa rregulla”, ku rendi ndërkombëtar dhe normat e vendosura po vihen gjithnjë e më shumë në pikëpyetje.

Tensionet SHBA-BE janë reflektuar edhe në marrëdhëniet tregtare, pasi burime nga Parlamenti Europian kanë bërë me dije se marrëveshja tregtare mes Bashkimit Europian dhe SHBA-ve pritet të pezullohet, për shkak të kërcënimeve amerikane lidhur me Groenlandën.

Analistët e shohin këtë fazë si një nga momentet më të paqarta për rendin botëror që nga Lufta e Dytë Botërore, me aleatët tradicionalë të SHBA-ve të shqetësuar për drejtimin e ri të politikës së jashtme amerikane.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu