
Evropa dhe Italia po përballen me një sezon gripi të parakohshëm dhe veçanërisht intensiv, i nxitur nga super-varianti K i virusit A(H3N2), ndërsa bashkëqarkullimi me Covid-19 po rrit ndjeshëm numrin e rasteve dhe presionin mbi sistemin shëndetësor.
Sipas të dhënave të Istituto Superiore di Sanità dhe sistemit të mbkëqyrkes RespiVirNet, vetëm në një javë janë regjistruar rreth 800 mijë raste të reja të infeksioneve respiratore akute, duke e çuar totalin sezonal në afro 5 milionë raste. Aktualisht, rreth 700 mijë persona rezultojnë në regjim shtëpie për shkak të gripit, Covid-19 dhe viruseve të tjera respiratore.
Alarmi është më i lartë te personat mbi 65 vjeç, të cilët përbëjnë edhe pjesën më të madhe të rasteve të rënda që përfundojnë në spital. Fimmg paralajmëron se kulmi i sezonit pritet mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, duke kërkuar intensifikim të vaksinimit.
Ekspertët theksojnë se varianti K i H3N2 po përhapet shpejt, por pa rritje të provuar të ashpërsisë klinike. Megjithatë, bashkëqarkullimi me Covid-19 rrit rrezikun e komplikacioneve dhe bashkë-infeksioneve, sidomos te të moshuarit, pacientët kronikë dhe personat vulnerabël.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve – veçanërisht të moshuarve, personave me sëmundje kronike, grave shtatzëna dhe kujdestarëve – të vaksinohen sa më parë, pasi vaksinimi ul rrezikun e shtrimeve në spital dhe lehtëson ngarkesën e shërbimeve shëndetësore në javët më kritike të dimrit.





