Tiranë, 6 prill – Pas skandalit me asgjësimin e 450 mijë pulave të infektuara nga gripi i shpendëve, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka reaguar me tone të forta, duke akuzuar ministren e Bujqësisë, Anila Denaj, për shkelje të hapur të ligjit dhe favorizim të klientelës së lidhur me qeverinë.

“Ministrja Denaj jo vetëm që ka dështuar të mbrojë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve, por ka shkelur ligjin për mënyrën e asgjësimit të shpendëve të prekur nga gripi. Në vend të groposjes apo djegies, siç parashikon ligji nr. 10465 për shërbimin veterinar, është përdorur metoda e renderingut, përmes një urdhri të paligjshëm që nuk ekziston në Fletoren Zyrtare,” deklaroi Muçollari.

Ai theksoi se procesi jo vetëm që është i dyshimtë dhe i pabazuar ligjërisht, por edhe i mbushur me pikëpyetje për përfitime të mundshme ekonomike.

“Pyetja që lind është: Kush po përfiton nga kjo manovër? Kush është klienti që po favorizohet përmes këtij urdhri të fshehtë? Ministrja nuk ka bërë transparencë, nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe nuk ka dhënë dorëheqje, pavarësisht se vendi është në një krizë të thellë të sigurisë ushqimore,” u shpreh ai.

Muçollari i bëri thirrje SPAK-ut që të nisë hetimet pa vonesë.

“Çfarë pret më drejtësia? A nuk është kjo një çështje që prek drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve? Kur do të ketë drejtësi për sigurinë ushqimore që është një interes jetik kombëtar?” – tha ai.

Partia Demokratike ka ritheksuar se siguria ushqimore është një nga prioritetet e saj dhe se do të ndërmarrë një kurs të fortë reformash për të garantuar standarde të larta në mbrojtjen e konsumatorit dhe prodhimit vendas.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu