
Kreu i PD Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët tha se nuk përjashton asnjë skenar në shtator me rinisjen e jetës politike, duke përfshirë këtu edhe grevën e urisë, një skenar i shumë përfolur së fundmi.
Berisha ka deklaruar se është i gatshëm që të udhëheqë edhe me shembullin e tij personal.
“I gatshëm të udhëheq deri në fitore. Me shembullin personal t’u rikthej shqiptarëve votën e lirë. Nuk përjashtojmë asnjë variant”, tha ai.
Berisha ka vijuar duke akuzuar PS dhe kryeministrin Edi Rama se kanë vjedhur zgjedhjet, duke mos pranuar as ti quajë zgjedhje, por një farsë elektorale.
“Mund të them sot atë që kam thënë shumë herë më parë që me Ramën nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira. Kjo nuk është diçka e re, e kam thënë dhe e them me bindjen më të madhe. Ka krijuar shtet elektoral dhe zhvillon farsë elektorale. Në Durrës janë 15 mijë vota të krimit”, u shpreh ai.