Greva e urisë e shqiptarit Pano Ruçi, që kërkon drejtësi për vdekjen e djalit të tij 22-vjeçar, Denisit, në aksidentin hekurudhor të Tempit, është bërë objekt debatesh edhe në Parlamentin e Greqisë.

Rasti i tij u përmend në seancën plenare edhe nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, që i doli në mbrojtje.

“Ne kemi fëmijë, nuk e kuptoj se si mund të ndalohet e drejta e një babai për të hetuar atë që gjykon për vdekjen e fëmijës së tij”, tha zoti Dendias, duke shtuar më vonë “të gjithë jemi dakord për këtë. Nuk e kuptoj që mund të ketë ndonjë qëndrim tjetër. Gjëja e fundit që nevojitet është që kushtet në të cilat ky njeri po jeton dramën e tij të përkeqësohen”.

Ministri iu rikthye çështjes pas ndërhyrjes së Presidentit të SYRIZA-s, Sokrates Famellos, i cili nxitoi të fajësonte qeverinë për mospërmbushjen e kërkesave të Pano Ruçit.

“Nuk dua të mbaj një qëndrim më tej për çështjen e babait të pafat. Nuk e kuptoj fajin e qeverisë kur bëhet fjalë për drejtësi. Sigurisht, ne do të ishim përgjegjës nëse ky do të ishte një akt qeveritar. Megjithatë, kjo është përgjegjësi e gjyqësorit. Unë kam shprehur qëndrimin tim dhe qëndroj me babanë e pafat”, tha ai.

Gjykata e Larisës ka pranuar kërkesën e avokates së familjes Ruçi për zhvarrosjen e trupit dhe kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, pasi shqiptari pretendon se në arkivol nuk është trupi i të birit, pasi nga aksidenti hekurudhor pati shpërthim zjarri dhe dëmtim të trupave.

Procesi është shtyrë për javën tjetër po me kërkesë të avokates, e cila pretendoi një ekspertim edhe me përfaqësues teknik të caktuar nga pala mbrojtëse.

Ruçi po hyn në javën e katërt të grevës së tij para Parlamentit dhe gjendja shëndetësore sa vjen e rëndohet./Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu