
Ky hotel është rezultat i një investimi të Grupit BALFIN, një nga grupet më të mëdha dhe më të diversifikuara në rajon, duke bashkëpunuar ngushtë me Grupin Accor, një nga rrjetet më të njohura globale në hoteleri dhe turizëm. Hoteli operon nën markën MGallery Collection, e njohur për elegancën, identitetin unik të çdo destinacioni dhe përvojat autentike që ofron për vizitorët në të gjithë botën.
Përurimi i këtij hoteli, në mbrëmjen e datës 30 qershor, u shënua nga prezenca e Lartësisë së saj Sheika Al Mayassa bint Hamad bin Khalifa Al Thani, nga prania e Maud Bailly, CEO-s së Sofitel, MGallery & Emblems, të cilat janë pjesë të Grupit Accor, Zëvendës Kryeministres Belinda Balluku, Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ndërsa nuk munguan politikanë të tjerë, ambasadorë, drejtues ekzekutivë bankarë, bashkëpunëtorë biznesi, si dhe mjaft figura të njohura të skenës së artit dhe kulturës.
Nën muzgun e detit Jon, fjalën e parë përshëndetëse e mbajti themeluesi dhe Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane. Ai e vlerësoi Green Coast Hotel – MGallery Collection “një hap strategjik për ta pozicionuar Shqipërinë në hartën e botës si një destinacion turistik elitar”. Ai nënvizoi “se projekti është rezultat i përkushtimit të Grupit BALFIN për të ndërtuar jo vetëm infrastrukturë, por edhe mundësi punësimi dhe zhvillim lokal”.
Ndërsa e cilësoi partneritetin e Grupit me institucionet financiare Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Intesa San Paolo si “një mbështetje që flet shumë për potencialin e turizmit në Shqipëri”, Mane e përfundoi fjalën e tij duke thënë se “Green Coast Hotel – MGallery është dëshmia më e fundit e asaj që mund të arrihet kur vizioni takohet me zbatimin”.

Maud Bailly, CEO i Sofitel, MGallery & Emblems, në fjalën e saj, u ndal në partneritetin mes Grupit Accor dhe BALFIN dhe në arsyet përse ky zinxhir i njohur hotelier i besoi vizionit të Grupit BALFIN për të sjellë në Shqipëri hotelin e parë nën brand-in MGallery.
“ Tek BALFIN ndihet zemra dhe pasioni, qasja pionere për t’i sjellë Shqipërisë një brand të ri si MGAllery, për ta orientuar drejt një ere të re, dhe që Europa ta njohë atë për potencialin e saj të vërtetë. Kjo është pikërisht arsyeja përse Accor zgjodhi BALFIN si partner. Industria e mikpritjes nuk është një ecje përgjatë parkut; është një sfidë e vërtetë, por jeta meriton të jetohet me ëndrra të mëdha dhe Green Coast Hotel – MGallery Collection është vërtet një ëndërr e tillë”, – tha Maud Bailly.
Fjalë përshëndetëse pati edhe Zëvendës Kryeministrja Belinda Balluku, e cila ndër të tjera u shpreh se “me Green Coast Hotel – MGallery Collection, Shqipëria tregon se është një vend i vogël, por me ambicie të madhe dhe mbi të gjitha në rrugën e duhur për të qenë një pikë referimi në Europë përsa i takon turizmit.”
Pas fjalimeve, ceremonia vazhdoi me prerjen simbolike të shiritit nga Presidenti i Grupit BALFIN, CEO-ja e Sofitel, MGallery & Emblems, Maud Bailly, dhe Zëvendës Presidenti i BALFIN, Martin Mane. Mbrëmja u përmbyll me një spektakël mahnitës dronësh, që krijoi një atmosferë festive në bregun e detit Jon.

Green Coast Hotel-MGallery Collection ofron një standard të ri pushimi dhe mikpritjeje, me cilësi ndërkombëtare. Ka 131 dhoma dhe suita, të gjitha me pamje nga deti Jon, një spa moderne me pesë nivele, si dhe ofron katër koncepte të rafinuara gastronomike – Mosaic Restaurant, Mente Lobby Bar, Vela Beach Bar dhe Bliss by the Pool.
Ndodhur në një nga plazhet e rralla në Shqipëri të certifikuara me “Blue Flag”, hoteli mishëron konceptin e turizmit rigjenerativ, me një arkitekturë moderne që reflekton stilin mesdhetar, si dhe përkushtimin për ruajtjen e natyrës dhe trashëgiminë e zonës.
Green Coast Hotel – MGallery Collection ka punësuar në formë direkte 150 punonjës, përfshirë këtu profesionistë me përvojë në pozicione kyce, si dhe ka krijuar mbi 350 vende pune shtesë përmes kontraktorëve dhe furnitorëve lokalë. Nën synimin për të operuar jo vetëm përgjatë sezonit veror, hoteli ofron mundësi të qëndrueshme punësimi dhe trajnime të vazhdueshme, duke krijuar hapësira reale për zhvillim karriere në sektorin e mikpritjes.
Ky angazhim konkret në integrimin e komunitetit lokal dhe fuqizimin e burimeve njerëzore dëshmon misionin e Grupit BALFIN për të ndikuar pozitivisht në ekonominë e zonës jugore të vendit dhe për ta pozicionuar Shqipërinë si një destinacion reference për turizmin elitar ndërkombëtar.