NGA GENC BURIMI

Lajmi është aq sensacional sa po bën xhiron e botës. Presidenti i fuqisë më të madhe në botë, i cili gjithë aksionin e tij, MAGA e ka vënë në shërbim të interesave ekonomike amerikane, nuk ka hezituar të sulmojë këtë të mërkurë, në mënyrën më të ashpër të mundshme, financierin amerikan, Xhorxh Soros dhe të birin e tij, Aleks.

Pati përplasje nga Presidenti Trump edhe me biznesmenin tjetër amerikan, Elon Musk. Por akuzat e lëshuara ndaj dy Sorosëve janë të tilla që të kujtojnë epokën e denoncimeve të krimeve të Stalinit. Trump shkruan, duke iu referuar ligjit kundër organizatave kriminale (RICO): “Xhorxh Soros dhe djali i tij super-radikal majtist duhet të akuzohen sipas ligjit RICO për mbështetjen e protestave të dhunshme dhe shumë veprimeve të tjera anembanë vendit”.

Akuza është shumë e rëndë, sepse përmban në vetvete veprën penale të tentativës së rrëzimit me dhunë të rendit kushtetues. Në këtë mënyrë, Trump duket sikur i thotë kampit demokrat, i financuar prej kohësh nga Soros, se “ashtu siç më akuzuat për kryengritjen në Capitol, do t’ju nxjerr në shesh palarat që keni bërë ndër vite me Sorosin, në dëm të Amerikës”. Pasi inati i vërtetë i Trumpit nuk qëndron tek Soros, por tek rivalët e tij politikë – nga Klintonët, te Obama e deri te Biden – të cilët, falë ndihmës financiare dhe logjistike që u sillte Soros, arritën të thurnin një skenar anti-Trump, i denjë për një konspiracion si në romanin Konti i Montekristos.

Në rrethin e Trumpit thuhet se pas sagës së maileve të piratuara apo të sajuara, sikur Trump kishte fituar mandatin e parë me ndihmën e rusëve, fshihej vetë dora e Sorosit. Në të njëjtën vazhdë aludimesh, Biden u pasurua nëpërmjet të birit Hunter, me korrupsion në Ukrainë ku vepronte Soros. Kjo ishte arsyeja pse Trumpit nuk duhej t’i jepej mundësia të fuste hundët në ç’kishte ndodhur në Ukrainë, ku administrata demokrate amerikane kishte provokuar një ndryshim pushteti me ndihmën e Sorosit.

Dihet se në atë kohë, në vazhdën e “Revolucionit të Mejdanit” në Kiev, në fillim të vitit 2014, u publikuan deklaratat e numrit dy të Departamentit Amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, sesi ajo diktonte kush duhej të ishin ministrat e rinj ukrainas. Por roli i Sorosit në Ukrainë është bërë më pak publik. Mjafton të lexosh deklaratat e tij të mëparshme për të kuptuar se Ukraina ka qenë investimi i tij më i madh dhe bashkëpunimi më i ngushtë me administratat demokrate në SHBA.

Që në vitin 1990, Soros themeloi në Ukrainë Fondacionin Ndërkombëtar të Rilindjes, pjesë e Fondacionit për Shoqëri të Hapur. I pyetur në një konferencë më 2015 mbi aktivitetet e fondacionit, Soros pohoi se i kishte kushtuar pjesën më të madhe të kohës Ukrainës, ku fondacioni i tij mbështeti anëtarët e qeverisë së re që doli nga trazirat e Mejdanit. Nga ai revolucion, që provokoi rrëzimin e qeverisë së mëparshme ukrainase (duke shkaktuar më pas inatin e Rusisë që u hakmor me pushtimin e Krimesë), doli një Këshill Kombëtar i Reformave, i financuar 100% nga dega e fondacionit të Sorosit në Ukrainë, për të hartuar gjithë ligjet e reja të vendit pas 2014.

Sipas një bilanci të vetë Fondacionit Soros në vitin 2023, ky ka investuar në Ukrainë 230 milionë dollarë që nga fillimet e tij, duke u kthyer kështu në një hallkë të domosdoshme për politikat e administratave demokrate amerikane në Ukrainë, ku janë kryer edhe korrupsione, po të kihen parasysh akuzat e Trumpit ndaj djalit të Biden, i përfshirë në shoqëri energjitike në Ukrainë ku ligjet i hartonte Sorosi.

Duket pra sikur, por koha do ta tregojë, që me këtë sulm frontal ndaj Sorosit si financues aktivitetesh të dhunshme, Trump po i hap rrugën edhe një akuze tjetër ndaj tij, si një nga përgjegjësit për situatën aktuale në Ukrainë. Meqenëse përgjegjës për këtë luftë, sipas Trumpit, janë Obama dhe Biden, dhe meqenëse në Ukrainë ata vepronin me përfaqësuesin e tyre atje, Xhorxh Soros, atëherë edhe ky është po aq fajtor për ç’rregullimet në Amerikë dhe në botë.

Investimi me donacione shumëmilionëshe i Sorosit baba e bir në fushatën e fundit elektorale pro Bidenit dhe Kamala Harris, që shkoi deri në blerjen e mbi 200 stacioneve radio pro-demokrate në SHBA, i ka shtuar bindjen Trumpit se Soros ishte i interesuari i parë që ai të mos fitonte zgjedhjet dhe të zbulonte bashkëpunimet ilegale midis fondacioneve të tij dhe demokratëve brenda e jashtë Amerikës.

Mbetet për t’u parë nëse, mbi bazën e këtyre akuzave nga vetë Presidenti amerikan, do të ketë hetime nga drejtësia amerikane mbi aktivitetin ndër vite të fondacioneve të miliarderit Soros. Të gjitha gjasat janë se po, nëse shihet se Presidenti amerikan, për të rrëzuar guvernatoren e Bankës Qendrore Amerikane, i kërkoi drejtësisë të hetonte deklarimet e saj mbi pasurinë, ku u zbulua një parregullsi me adresën e banesës kryesore.

I ndërgjegjshëm për fillimin e një hetimi ndaj tij, Soros ka reaguar sot me një komunikatë për mediat, ku Fondacioni “Shoqëri e Hapur” ka hedhur poshtë akuzat e Donald Trump duke i cilësuar si skandaloze dhe të rreme.

Po Shqipëria?

Lajmi për fillimin e ndeshjes Trump–Soros në terrenin e drejtësisë vjen në momentin më të keq për Edi Ramën si mik personal i familjes Soros dhe si Kryeministër i një vendi ku fondacioni i Sorosit akuzohet se ka pasur një axhendë politike. Akuzat e rënda të Trumpit kundër Sorosit për krime politike vijnë në kohën kur në Shqipëri opozita akuzon Kryeministrin se është mbështetur nga Soros dhe e mbështet, për krim politik me zgjedhjet.

Kjo përkim në sulme nuk është në favor të mazhorancës që kërkon të nisë në kushte normale legjislaturën e re parlamentare, ndërkohë që opozita më e madhe në vend nuk e njeh parlamentin e ri dhe qeverinë që do të dalë prej tij si legjitime. Për herë të parë, po puqen në distancë dhe publikisht axhendat respektive të Trumpit në “luftë” kundër Sorosit dhe të Berishës në “luftë” kundër shëmbëlltyrës së Sorosit në Tiranë, siç e quan ai.

A do të jetë ky rasti i volitshëm që “faktori” Lacivita ta zhdukë distancën midis këtyre dy axhendave, në interes reciprok të të dyja palëve në ofensivë? Sërish, koha do tregojë./Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu