
Një konflikt i dhunshëm i regjistruar në mbrëmjen e 4 janarit 2026 në zonën e njohur si “Departamenti i Bujqësisë”, në Gramsh, ka përfunduar me arrestimin në flagrancë të tre shtetasve.
Shërbimet e Komisariati i Policisë Gramsh kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit për konfliktin, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u arrestuan në flagrancë shtetasit (babë e bir):
– R. D., 51 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;
– R. D., 27 vjeç, banues në Gramsh, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi K. T., 34 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se babë e bir kanë goditur me grushte dhe sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin K. T., i cili ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një mjet prerës (thikë), që dyshohet se i përkiste shtetasit K. T. dhe se është përdorur prej tij për të kanosur 27-vjeçarin. Po ashtu, gjatë kontrollit fizik, shtetasit R. D., 51 vjeç, iu gjet një send multifunksional, i cili u sekuestrua dhe do t’i nënshtrohet ekspertimit teknik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.




