
Një grabitje spektakolare ka ndodhur në Muzeun e Luvrit në Paris, i cili sot do të qëndrojë i mbyllur për publikun. Sipas Ministrisë franceze të Kulturës, grabitja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në momentin e hapjes së muzeut.
“Këtë mëngjes ndodhi një grabitje në momentin e hapjes. Nuk ka të plagosur. Jam në vendngjarje me policinë dhe stafin e muzeut, hetimet janë në zhvillim”, deklaroi ministrja e Kulturës, Rachida Dati, në një postim në rrjetet sociale.
Si ndodhi grabitja
Sipas të dhënave paraprake, tre persona të maskuar janë futur në muze nga ana që kufizohet me lumin Sena, ku aktualisht po zhvillohen disa punime restaurimi. Ata kanë përdorur një ashensor teknik për të hyrë drejtpërdrejt në Galerinë e Apollonit, ku ndodhet një nga koleksionet më të vlefshme të bizhuterive historike.
Dy prej tyre janë futur brenda ndërtesës pasi kanë thyer dritaret, ndërsa njëri ka qëndruar jashtë për roje. Grabitësit kanë arritur të marrin nëntë objekte nga koleksioni i Napoleonit dhe i Perandoreshës, përfshirë një varëse, një broshë dhe një kurorë me vlera të jashtëzakonshme.
Dëmi dhe hetimet
Sipas burimeve të brendshme të muzeut, diamanti i famshëm “Regent”, me peshë mbi 140 karatë, nuk është prekur. Vlera e saktë e dëmit nuk është përcaktuar ende.
Grabitësit janë larguar me një motor TMax, duke marrë drejtimin e autostradës A6. Policia pariziene dhe njësitë speciale të hetimit ndodhen në vendngjarje, ndërsa në orët e pasdites pritet të flasë ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, për të dhënë detajet e para të hetimeve.
Luvri, simbol i kulturës botërore
Muzeu i Luvrit, një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në botë me mbi 9 milionë vizitorë në vit, është ndër godinat më të ruajtura të Parisit.
Galeria e Apollonit, ku ndodhi grabitja, është një hapësirë ikonike e muzeut që u rihap në janar të vitit 2020 pas punimeve të restaurimit.