
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi sot në Forumin e Prokurorëve të Ballkanit Perëndimor se duhet një bashkëpunim sa më i madh gjyqësor mes vendeve.
Sipas tij, në Shqipëri mbetet thelbësor identifikimi i të ardhurave nga krimi.
“Ne e njohim angazhimin e vendeve në rajon për të luftuar krimin e organizuar, që është i dëmshëm për kohezion social dhe gërryen besimin e qytetarëve tek institucionet. Rrjetet kriminale përdorin edhe institucionet për të zgjeruar ndikimin e tyre. Duhet të punojmë sëbashku. Forcimi i sundimit të ligjit është sfidë thelbësore për vendet që duan të anëtarësohen në BE. Puna juaj ndikon direkt në këtë proces.
Pandëshkueshmëria nuk duhet të jetë e pranishme në shoqëri. Natyra në zhvillim e krimit ndërkombëtar kërkon vigjilencë dhe nisma konkrete si dhe burime financiare e njerëzore. Identifikimi i të ardhurave nga krimi është thelbësor në Shqipëri, si dhe rimarrja e aseteve.
Duhet bashkëpunim gjyqësor më tej dhe përdorimin e të gjitha mjeteve në dispozicion, mbështetja e ofruar nga ky projekt për Ballkanin Perëndimor, ka efekte mjaft praktike përveç kontributeve të vlefshme që prokurorët japin. Përmes projektit, vendet kanë akses në burimet dhe praktikat më të mira të Eurojust. BE qartësisht përmes Eurojust dhe delegacioneve do vazhdojë t’ju mbështesë në punën tuaj”, tha Gonzato.
Gjatë Forumit Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u shpreh se asnjë vend i rajonit nuk mund t’i bëjë ballë fenomeneve të krimit vetëm. Ai theksoi se për t’i shpërbërë këto struktura duhet vepruar me vendosmëri.
“Ne nuk na bashkon vetëm gjeografia, por edhe përkushtimi i përbashkët për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Asnjë vend i rajonit nuk mundet t’i bëjë ballë këtyre fenomeneve i vetëm. Grupet apo organizatat kriminale janë të ndërlidhura, operacionet transaksionale dhe rrjetet e tyre janë të shtrirë kudo. Një hetim që nis në një vend na çon drejt fakteve të dyshuarve, apo lëvizjes së parave në një vend tjetër. Për t’i shpërbërë këto struktura na duhet të veprojmë me vendosmëri jo vetëm bredna territoreve respektive, por edhe në mënyrë kolektive si pjesë e rajonit”, tha Dumani, sipas të cilit kjo do të thotë më shumë hetime të përbashkëta, ndarje më e shpejtë e informacionit, besim i ndërsjelltë mes prokurorëve dhe një vizion i qartë “që gjeografia nuk e pengon, por e ndihmon bashkëpunimin”.
Ai solli në vëmendje bashkëpunimin me Eurojust, si një element që ka bërë dallimin për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Eurojust është një nyje strategjike që na ka ndihmuar të kapërcejmë pengesat frenuese të bashkëpunimit ndërkombëtar. Për SPAK-un, bashkëpunimi ka dhënë rezultate të prekshme”, tha Dumani.
“Në raportin e Eurojust, SPAK është prokuroria me numrin më të lartë të çështjeve në Eurojust nga vendet jo anëtare të BE-së. Nga muaji Janar-Maj 2025 SPAK ka marrë pjesë në dhjetë nga mbledhjet e koordinuara të Eurojust. Aktualisht SPAK ka 23 skuadra të përbashkëta hetimore me vendet e BE-së, por edhe me vende të rajonit si dhe një skuadër me një vend të Amerikës Latine”, shtoi më tutje Dumani.
Kreu i SPAK vlerësoi ndër të tjera si “model” bashkëpunimin me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut si
“Kemi treguar se një bashkëpunim i hapur dhe duke i besuar njëri-tjetrit bën të mundur ndërtimin e hetimeve të suksesshme”, tha Dumani.
Janë tre elementë të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal, sipas Dumanit.
“Skuadrat e përbashkëta hetimore dhe operacionet ndërkufitare, hetimet financiare dhe rikuperimi i aseteve, komunikimi i sigurtë, ndarja e informacioneve inteligjente në kohë reale”, u shpreh kreu i SPAK.
Presidenti i Eurojust, Michael Schmid, në Forumin e Prokurorëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë u shpreh tejet i lumtur me mënyrën si është pritur në Shqipëri, tha se ky rajon ka një rëndësi të veçantë për të.
“Është kënaqësi për mua të jem sërish në Tiranë. Mbrëmë ne patëm mundësi të shikonim mikpritjen e shqiptarëve, me organizimin e eventit. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm për mua, unë jam austriak dhe Austria ka lidhje të veçantë me këtë pjesë të rajonit, edhe gjuha e nënës time është sllovene. Para se të caktohesha si President i Eurojust, kam punuar si pikë kontakti për Kolegjin e Ballkanit Perëndimor.”
Sipas tij, vitet e fundit është rritur bashkëpunimi mes vendeve të rajonit në goditjen e krimeve të ndryshme.
“Projekti për Ballkanin Perëndimor është efikas, objektivi kryesor është të rrisim besimin reciprok dhe për bashkëpunim ndërkufitar në rajon, por edhe mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Janë konfiskuar mallra të paligjshme në numër të lartë, për katër grupe hetimore të përbashkëta, vetëm nga vendet e këtij rajoni. Këto ekipe janë marrë me goditjen e krimeve si trafikim i drogës, pastrim parash, më shumë se 50 çështje janë mbështetur nga vendi juaj.”
Theksoi mbështetjen e Eurojust për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
“Të lehtësohet rruga juaj drejt anëtarësimit në BE. Ne bëjmë vlerësimin tonë vjetor lidhur me progresin për bashkëpunimin gjyqësor dhe dua t’ju garantoj që mund të besoni me ne. Mbështesim rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian dhe do ishte kënaqësi e madhe nëse do bëheshit vend anëtar.”
Thelbësore është të vendosim objektiva realiste. Kështu u shpreh Sot drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela gjatë Forumit Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor.
Ai theksoi se sistemet e drejtësisë shqiptare “janë në rrugën e duhur të standardizimit të harmonizimit me standardet e Bashkimit Europian”.
“Shpresoj që dita e sotme të vlejë pozitivisht. Duke përcaktuar qartë trajektoren që duam të përshkrojmë në vijimin e bashkëpunimit rajonal”, tha Çela.
Ai bëri me dije se ditën e sotme do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi me Malin e Zi./klan