
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se, përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon përfshirjen aktive të shoqërisë civile.
Në kuadër të Javës së Shoqërisë Civile, ambasadori i BE-së, tha gjatë një aktiviteti të zhvilluar në “Shtëpinë e Evropës” se BE mbetet e angazhuar për të forcuar rolin e aktorëve civilë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Me mbështetjen afatgjatë të ofruar nga Qendra Burimore për Shoqërinë Civile, tashmë në fazën e saj të tretë, Bashkimi Evropian po ndihmon në ndërtimin e një hapësire civile më të fortë, më të informuar dhe më të qëndrueshme”, tha Gonzato.
Sipas Gonzatos, kjo “qendër nuk ka vetëm funksionin e ofrimit të shërbimeve; ajo synon të mundësojë që shoqëria civile të kontribuojë në mënyrë aktive në reforma, të kërkojë llogaridhënie nga institucionet dhe të afrojë qytetarët me vendimmarrjen demokratike”.
“Përparimi drejt anëtarësimit në BE kërkon përfshirjen aktive të shoqërisë civile. Ata tregojnë se si mund të jetë një qytetari aktive, gjithëpërfshirëse dhe e udhëhequr nga vlerat. Kjo është arsyeja pse angazhimi i Bashkimit Evropian ndaj shoqërisë civile është pjesë thelbësore e mbështetjes sonë për Shqipërinë”, tha ambasadori Gonzato.
“Java e shoqërisë civile në Shqipëri” synon krijimin e një hapësire për të gjithë aktorët e shoqërisë civile, si katalizatorë të ndryshimeve pozitive në shoqëri, për t’u bërë bashkë, për të diskutuar dhe krijuar zgjidhje dhe veprime të përbashkëta në të ardhmen./atsh