Një gomone që vinte nga brigjet shqiptare ka lëshuar sinjal “SOS” pranë brigjeve greke, në zonën detare midis Igumenicës dhe Korfuzit, në vendin e quajtur Prasoudi. Menjëherë drejt vendngjarjes u nisën skafet e policisë së Korfuzit dhe Igumenicës, ndërsa për ndihmë u aktivizua edhe policia kufitare e Sarandës.

Policia greke gjeti në vendngjarje gomonen gjysmë të fundosur dhe drejtuesin e saj, një shtetas shqiptar, i cili u transportua fillimisht drejt Portit të Igumenicës dhe më pas në Spitalin e Filatit për ndihmë mjekësore. Burime paraprake bëjnë me dije se drejtuesi është Edmond Musa, 50 vjeç, nga Saranda, i njohur me pseudonimin “Çimoni”, i skeduar më parë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Fillimisht, Musa u arrestua për “kalim i paligjshëm i kufirit” dhe “mbytje të mjetit lundrues”. Por, duke pasur dyshime, policia ktheu gomonen pranë Sajadhës, ku gjatë kontrollit u gjet një sasi e madhe marihuane, e fshehur me kujdes.

Lënda narkotike po transportohet drejt Portit të Igumenicës, ku do të peshohet, ndërsa hetimet për trafikun ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Greqi janë duke vazhduar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu