
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, prezantoi sot në emër të Këshillit të Ministrave projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 80/2021 ‘Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse’”, të ndryshuar.
Ministri sqaroi se ndryshimet vijnë si pasojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili u iniciua nga organizatat e shoqërisë civile.
Gogu renditi tre arsye kryesore që e bëjnë ndërhyrjen ligjore të domosdoshme:
1. Qartësimi i natyrës vullnetare të regjistrimit
Formulimet aktuale të ligjit krijonin idenë se çdo grupim shoqëror duhet të regjistrohej detyrimisht. Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar këtë si antikushtetuese. Projektligji bën dallimin mes organizatave që duan të hyjnë në qarkullimin juridiko–civil dhe grupeve informale që zgjedhin të mos regjistrohen.
2. Korrigjimi i boshllëqeve institucionale
Kompetencat që ligji ekzistues i kishte kaluar kancelarit të gjykatës rikthehen te gjyqtari, për të forcuar kontrollin gjyqësor dhe për të shmangur mbingarkesën administrative.
3. Heqja e sanksioneve të konsideruara antikushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se disa masa administrative ishin jo proporcionale dhe cenonin lirinë e organizimit.Projektligji i eliminon këto sanksione dhe parashikon vetëm një gjobë fikse prej 6,000 lekësh për raste të veçanta, si deklarime të rreme apo mosdeklarim të ndryshimeve.
Në mbyllje, ministri ftoi deputetët të mbështesin projektligjin, duke theksuar se ai “qartëson ligjin ekzistues, zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe garanton lirinë e organizimit”.
Fjala e plotë:
I nderuar Kryetar, të nderuar deputetë, të nderuar qytetarë që na ndiqni. Sot projektligji që kemi në shqyrtim është dukshëm teknik, por në fakt ka peshë të madhe në shtetin e së drejtës dhe lirinë e organizimit.
Dhe kjo vjen për disa arsye, të cilat do t’i rendis shumë shpejt pa humbur kohë, si më poshtë.
Ky është ligji që vjen si pasojë e zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila është vënë në lëvizje nga një kërkesë e organizatave të shoqërisë civile. Dhe ky projektligj vjen me këto ndryshime, reflekton besnikërisht këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe riparon ato boshllëqe ligjore që ka konstatuar Gjykata Kushtetuese, duke nxjerrë në pah gjithë nevojën që ekziston për të ndryshuar ligjin, por nga ana tjetër nuk bie në tundimin që tejrregullojë apo të mos veprojë.
Kështu që po ndërhyjmë në ligjin e organizatave jofitimprurëse për arsyet si më poshtë.
E para, për të shmangur paqartësinë mbi natyrën vullnetare apo detyruese të regjistrimit, pra formulimet në ligjin ekzistues janë të tilla që duket sikur çdo organizim shoqëror duhet të regjistrohet patjetër, dhe Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën këtë rregullim, duke bërë dallimin midis atyre organizatave jofitimprurëse të cilat duan të regjistrohen sepse duan të hyjnë në qarkullimin juridiko–civil të vendit.
Nevoja e dytë janë boshllëqet institucionale që krijonte ligji ekzistues dhe kam parasysh ato kompetenca që i ishin kaluar kancelarit të gjykatës. Ndërkohë, kthehen mbrapsht te gjyqtari për të forcuar kontrollin gjyqësor dhe për të mos krijuar vonesa dhe mbingarkesë që mund të krijohej te kancelarët e gjykatave.
E treta, masat administrative të vendosura në ligjin ekzistues. Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar jo proporcionale dhe potencialisht cenuese të lirisë kushtetuese të organizimit. Për këtë arsye, përveç qartësive terminologjike dhe juridike që bën ligji, përveç respektimit të lirisë së organizimit, të cilën e përmenda më sipër, që ndryshimi i bërë në përputhje me nenin 46 të Kushtetutës, nenin 11 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe udhëzuesin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe OSBE–ODIHR-it për të drejtën dhe lirinë e organizimit thekson se ligji duhet t’i njohë si organizatat formale ashtu edhe ato informale dhe nuk duhet t’i detyrojë që ato të fitojnë patjetër personalitet juridik.
Jo, kush dëshiron të ketë personalitet juridik, le të regjistrohet dhe të hyjë në qarkullimin juridik–civil, kurse kush do të zgjedhë të veprojë si një grup joformal nuk duhet të etiketohet si i paligjshëm dhe nuk ndëshkohet për këtë zgjedhje.
Natyrisht, rishpërndarja e kompetencave nga kancelari mbrapsht te gjyqtari, siç ka qenë në traditën tonë, është ndryshimi tjetër. Dhe masat administrative që hiqen të gjitha sanksionet që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar jo kushtetuese dhe, nga ana tjetër, ka parashikuar masa të reja administrative, të fiksuara 6,000 lekë, vetëm për raste të veçanta, deklarime të rreme të të dhënave ose mosdeklarimi i ndryshimeve.
Për këto arsye, ju ftoj që të mbështesni ligjin dhe në këtë mënyrë të qartësojmë ligjin ekzistues, të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të garantojmë lirinë e organizimit. Faleminderit.






