Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu deklaroi se nisma ligjore e prezantuar nga kryeministri dhe kryetari i PS këtë të hënë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist nuk synon t’i japë mbrojtje personale askujt përballë ligjit, por të garantojë vijimësinë e funksionimit të institucioneve.

 

I ftuar në emisionin Now në Euronews Albania, Gogu theksoi se masa e ndalimit nuk ndikon në hetime, pasi prokuroria vijon punën e saj pavarësisht vendimeve.

 

“Kjo dispozitë nuk po kërkon mbrojtje personale për askënd para ligjit. Hetimi vazhdon dhe nuk ka lidhje me masën e ndalimit,” u shpreh ai.

 

Sipas ministrit, pezullimi i një funksioni të lartë shtetëror krijon vakum institucional dhe rrezikon të bllokojë ushtrimin e detyrave kushtetuese.

 

“Funksionin nuk mund ta kryejë dikush tjetër kur pezullohet. Nuk është si të pezullosh një drejtor që ka zëvendësues. Në rastin konkret pezullohet shteti,” tha Gogu, duke shtuar se situata mund të paralizojë institucionet për të cilat qytetarët kanë votuar.

 

Ai nënvizoi se debati nuk lidhet me faktin nëse do të ketë hetim apo jo, pasi sipas tij kjo është e padiskutueshme. “Nuk po diskutojmë a do hetohet apo s’do hetohet ministri. Do hetohet, ç’ke me të ministri, zëvendëskryeministri, kryeministri, po të duash ti, të gjithë. Nuk diskutohet kjo gjë. Prokuroria vazhdon hetimin edhe tani që ne flasim,” deklaroi Gogu.

 

Ministri shtoi se nëse Gjykata Kushtetuese do të kishte dhënë një interpretim detyrues, situata do të ishte më e qartë, por gjykata vetëm konstatoi problemin pa ofruar një zgjidhje përfundimtare. Ai ngriti pyetjen se a është masë ndaluese kur pezullon një funksion kushtetues?

“Kjo quhet përgjegjshmëri politike, sot kryeministri u dha përgjigje të gjithëve kur tha që e ka kërkuar 3 herë dorëheqjen”, iu përgjigj ministri Gogu, pyetjeve mbi të drejtën morale të qëndrimit në detyrë të zv/kryeministres Balluku.

 

Sipas tij, debati sot nuk është me imunitetin ndërsa masa nuk është vendim përfundimtar.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu