Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu deklaroi sot në Kuvend se opozita po shmang përgjegjësinë e vet për procesin e Avokatit të Popullit, duke u tërhequr nga nënshkrimet që vetë i ka vendosur.

Sipas tij, premtimet mbahen, nënshkrimet mbahen dhe opozita nuk mund të kërkojë besimin e njerëzve nëse nuk respekton as firmat e veta.

“E vetmja gjë që ka avulluar është nënshkrimi juaj,” tha ai, duke theksuar se qytetarët e shohin këtë mospërputhje mes fjalëve dhe veprimeve. Sipas tij, nuk mund të kërkosh mbështetje elektorale nëse nuk mban përgjegjësi minimale për procesin që vetë e ke nisur.

Në përfundim, Gogu kërkoi që çështja të çohet menjëherë në votim, duke e cilësuar të papranueshme çdo vonesë. “Kryetar, urgjentisht kërkesa e opozitës duhet hedhur në votim. Fjalët janë këtu, kandidatët janë aty – nuk mund të humbasim më kohë,” deklaroi ai, duke i bërë thirrje opozitës të tregojë seriozitet dhe të qëndrojë pas firmës dhe fjalës së dhënë.

Fjala e plotë:

I nderuar zoti kryetar, i nderuar koleg, të nderuar qytetarë që na ndiqni! U detyrova që të marr fjalën për shkak të këtij diskutimi, në dukje procedurial, por që besoj se është i një rëndësie shumë të madhe, për shkak se duket qartë që bëhet fjalë për peshën e nënshkrimit të deputetit. Dhe si pasojë, nënshkrimi i deputetit në mbështetje dhe krijimin e një roli të rëndësishëm kushtetues merr edhe rëndësi edhe më të madhe.

Për këtë arsye, i kuptoj shumë mirë të gjithë kolegët e opozitës, të cilët po bëjnë të njëjtën kërkesë dhe po e përsërisin në një mënyrë të përsëritur, që ka të bëjë me tërheqjen e nënshkrimit të tyre për rolin e Avokatit të Popullit.

Tani, siç po e theksoni juve, patjetër që Avokati i Popullit ka atë rol të pazëvendësueshëm, që të jetë te dera e paraburgimit kur e drejta e qytetarit shkelet, që të jetë te dera e zyrës kur ajo derë mbyllet. Dhe për këtë arsye, patjetër që tradita parlamentare i ka kërkuar opozitës një detyrë shumë të madhe me të cilën lidhet dhe pesha juaj e nënshkrimit.

Detyra është që të gjeni kandidatin konsensual, atë që e mbron qytetarin edhe nga ju që ende nuk po qeverisni, t’i mbrojë edhe në emrin tuaj. Dhe kështu ka nisur ky proces. Ndaj juve në fillim folët për standarde, folët se si do garantonit procesin, na thatë: “Ne nuk duam marrëveshje politike, do zbatojmë ligjin.”

Dhe në zbatim të ligjit sollët ato kandidatura të cilat janë sot në seancë, të shqyrtuara nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, i cili jam i bindur që do japë një raport të hollësishëm.

Pastaj ndodhi kjo “mrekullia” parlamentare: kandidatët janë këtu, kandidatët janë në raportin e komisionit, po ashtu janë edhe fjalët, sepse ne themi që po ju takon juve.

E vetmja gjë që ka avulluar është nënshkrimi juaj.

Dhe unë nuk e kuptoj sesi ju, se si juve që nuk mbani dot peshën e një gare mes gjashtë kandidatëve që i keni sjellë vetë, do mbani peshën e premtimeve elektorale.

Dhe ndaj ju vrisni mendjen ore si s’po na bashkohen njerëzit? Shumë e thjeshtë. Njerëzit kuptojnë që ju nuk i jepni rëndësi nënshkrimit tuaj, nuk i jepni rëndësi propozimit tuaj, nuk i jepni rëndësi premtimeve tuaja dhe ndaj ju sot përballeni dhe bëni gjithë këtë skenë.

Sepse përballemi me tre tallje: ju në fillim talleni me veten tuaj, sepse keni mbështetur kandidatë dhe tani tërhiqeni; pastaj talleni me kandidatët, të cilët sot kanë gjithë të drejtën e tyre legjitime kushtetuese që të shqyrtohen nga ky parlament; dhe pastaj talleni edhe me popullin, sepse ju thoni që kur të vijmë ne, do bëjmë namin.

S’mbani dot peshën e një nënshkrimi që keni mbështetur një kandidat.

Qeveria është shumë e qartë: duart larg institucioneve të pavarura dhe sidomos Avokatit të Popullit, të cilin ju e keni sjellë dhe ne sot jemi të gatshëm t’ju marrim ju seriozisht, ata kandidatë seriozisht dhe mbi të gjitha qytetarin shqiptar seriozisht.

Ndaj, kryetar, urgjentisht kërkesa e opozitës duhet hedhur në votim, sepse ne nuk mund ta humbasim më kohën. Fjalët janë këtu, kandidatët janë aty. Të hedhim urgjent në votim kërkesën e opozitës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu