Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu deklaroi në Kuvend se koha kur drejtësia ndikohej nga telefonatat dhe ndërhyrjet politike ka marrë fund, duke kujtuar periudha të kaluara kur prokurorët dhe gjyqtarët udhëzoheshin nga politika.

 

Në vijim, ai nënvizoi se reforma në drejtësi, pavarësisht dhimbjeve dhe vështirësive, ka sjellë rezultate konkrete, si sekuestrimi i miliona eurove nga krimi i organizuar. Ministri u shpreh se qeveria do të vijojë mbështetjen teknologjike, financiare dhe profesionale për sistemin e drejtësisë, duke investuar në trajnimin e magjistratëve të rinj dhe përmirësimin e standardeve. Në mbyllje, Gogu theksoi se “duart tona janë larg dosjeve personale”, duke garantuar se drejtësia do të mbetet e pavarur dhe e përkushtuar ndaj ligjit.

Fjala e plotë e ministrit Toni Gogu:

I nderuar z. kryetar, të nderuar kolegë, të nderuar qytetarë që na ndiqni!

Pavarësisht notave humoristike që erdhën në sallë nga parafolësi, nuk duhet ta harrojmë atë që thamë në fillim të seancës. Ky ishte qëllimi, që një i pandehur për korrupsion të merrte rolin e prokurorit dhe të akuzonte kreun e strukturës së posaçme kundër korrupsionit. Dhe kjo gjëja ndodhi. Dhe të gjithë minionët e kurdisur bënin pyetje të cilat nuk do t’i dëgjoni kurrë nga kjo anë e sallës dhe ju që jeni duke na ndjekur dhe vrisni mendjen “si ka mundësi”. Ka shumë mundësi!

 

Sepse kurrë nuk kemi hyrë, nuk hyjmë dhe kurrë nuk do të hyjmë në merita çështjesh të veçanta. Kjo anë këtej, pavarësisht dhimbjes që mundet të jetë shkaktuar, që është shkaktuar nga reforma në drejtësi, do të karakterizohet deri në fund nga një durim shtetbërës. Dhe jo nga padurimi partiak që kurdisi të madh e të vogël që t’i bënin pyetje prokurorit ose për shefin e tyre: si guxon ti të na marrësh të pandehur udhëheqësin? Ose për kundërshtarët politikë? Çfarë po bëni për këtë?

 

Dhe e di pse? Janë zakone 30-vjeçare të ngulitura në atë “bajame” këtu brenda trurit institucional tuajin. Që t’ju çojë te telefoni. Telefoni që merrte prokurorin e përgjithshëm Haxhiaj dhe kur i thoshte se nuk funksionon kështu shteti ligjor, ju shkarkonit. Mblidheshit për ta shkarkuar. Telefoni që merrte kryetarin e Gjykatës së Lartë, zotin Brozi, që ka 20 e ca vjet që rrëfen për shantazhet me telefon. Pra, juve evokoni, qani për drejtësinë e telefonit që bëhej brenda zyrave të partisë. Kurrë nuk ka për të ndodhur nga kjo anë. Pavarësisht lirisë së tepruar që mundet të ketë dhënë reforma në drejtësi, sepse ne institucionet nuk i bëjmë për persona të veçantë, i bëjmë për qytetarin.

 

Të nderuar qytetarë, dëgjuat ndonjë pyetje ju për juve? Dëgjuat ndonjë pyetje sa i përket luftës me krimin e organizuar dhe se si u nevojitet strukturave të posaçme analizë e thelluar? Bashkëpunim ndërkombëtar?Isha aty kur dëgjoja pyetje: “Po për babanë tim shpirtëror si guxon ti ta marrësh të pandehur?” Aty lart isha dhe e dëgjoja, dhe është shumë trishtuese kur shikon një opozitë të tërë e cila nuk po bën asgjë tjetër, vetëm do që ta kthejë timonin pas. Por nuk ka për të ndodhur.

 

Ishte e qartë fare. SPAK-u jua shfryu gjithë tullumbacen e kapjes me shifra. Pse? Sepse shteti ligjor nuk ndërtohet me thashethemet e qytetarëve digjitalë: “më tha njëri mua që ka ndodhur një gjë atje”, dhe si guxon ti që s’e bën këtë punë. Jo, shteti ligjor ndërtohet mbi prova. Nëse ke prova, çoji në prokurori. Dhe pasi i ke çuar në prokurori, prit që prokuroria dhe gjykata të vendosin për atë çështje. Nuk vendos gjyqi popullor, që ka vendosur për 50 vite me radhë dhe që ka bërë që ne sot të vazhdojmë me atë kulturë të tmerrshme institucionale.

 

Ishte e qartë, vetëm krimit të organizuar i janë sekuestruar me miliona euro. Ndërkohë këtu vazhdohej me pyetje, thua ti se nuk kanë dorëzuar prova apo ankesa në institucionet e posaçme. Me prokurorin e përgjithshëm ishte edhe më e bukur. Prokurori i përgjithshëm drejton. Dhe kjo shumicë ka vendosur që ai të drejtojë përmes udhëzimeve që nxjerr. Këtu e gjithë çështja është si deputetë të caktuar do bëhen prokurorë, do marrin rolin e prokurorit të përgjithshëm dhe do ndjekin çështje të caktuara, kryesisht të kundërshtarëve të tyre politikë. Gjë që ka ndodhur kohë më parë, por që kjo shoqëri është ndarë një herë e mirë, sepse është ndarë kultura europiane e cila po zbatohet çdo ditë në një shoqëri si e jona.

 

Pra, në çdo vend europian ku ne duam të aderojmë, vendimet se si funksionon gjyqësori i merr vetë gjyqësori, kontrollin e bën vetë gjykata.

Vendimet se si prokurorët sillen apo se si gjyqtarët sillen, në momentin kur inspekton, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i marrin organet e qeverisjes së gjyqësorit.

 

Këtë gjë ka bërë kjo shumicë dhe këtë gjë shqiptarët do shohin gjithmonë, që kjo shumicë po ndërton institucione përmes dhimbjeve, patjetër përmes zakoneve të vjetra komuniste, patjetër.

Institucione të cilat mund të rrinë në këmbë për një kohë të gjatë dhe nuk mundet të kthehen te telefoni.

“Zgjidhe kështu atë çështje.” Te darka përpara vendimmarrjes në Gjykatën e Lartë.

E cila ju njollosi një herë e mirë dhe mirë është të ndaheni, për ndërhyrje në pushtetin gjyqësor, për të cilën jeni shpallur të padëshirueshëm nga vendet euroatlantike.

 

Kështu që kjo histori unë mendoj që është jashtëzakonisht e qartë. Dhe për ta mbyllur:

Shifrat janë aty, rezoluta është aty, do ishte shumë mirë që juve ta miratonit, sepse flitet për ndërtim strukturash, flitet për futje teknologjie në shërbim të menaxhimit të çështjeve, që vërtetë është jashtëzakonisht e trishtë që ne, për shkak të largimeve që na ndodhën përmes procesit të rivlerësimit, nga njëra anë kemi mungesë të theksuar të burimeve njerëzore në sistem, gjë që ishte e paparashikuar, sepse askush nuk mund të mendonte që në çdo dy magjistratë, njëri nga ata nuk përmbushte kriteret. Dhe nga ana tjetër, ne kemi një numër të madh çështjesh të cilat kanë nevojë për trajtim.

 

Ka nevojë për trajtim, prandaj në këtë moment është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne si qeveri do të vazhdojmë të garantojmë mbështetje teknologjike.

Do të vazhdojmë të garantojmë mbështetje financiare.

Do të vazhdojmë të garantojmë trajnimin e gjyqtarëve të rinj, magjistratëve të rinj, të cilët duhet të futen urgjent një orë e më parë në sistem.

 

Ajo çfarë mund të bëjmë si parlament, ajo çfarë ju të nderuar kolegë mund të bëni, është të përmirësoni legjislacionin, patjetër dhe të përmirësoni monitorimin e funksionimit të institucioneve. Boll më me fletërrufe personale ndaj individëve të caktuar për çështje të caktuara që ju dhembin juve personalisht.

I nderuar zoti kryetar, të nderuar kolegë, të nderuar qytetarë që na ndiqni, ne kemi për t’i qëndruar refrenit, që duart tona janë larg dosjeve personale. Janë larg dosjeve personale, por ato nuk do t’i shkëputen asnjëherë ruajtjes së standardit.

 

Dhe ajo analizë që drejtuesi i SPAK tha se duhen për pesë vite të marrim dhe të analizojmë masat e sigurimit, pikërisht për të parë proporcionalitetin që është në zbatim të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, është rruga e duhur dhe e mirëpresim dhe duam që të shohim analiza të tilla, të cilat ndihmojnë sistemin që të vendosë standarde. Dhe për këtë punë është parlamenti.

Të përmirësojë ligje, të përmirësojë standarde.

 

Ju falënderoj për vëmendjen dhe ju ftoj që ta votoni rezolutën.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu