
Një operacion i gjerë policor në Maqedoninë e Veriut ka çuar në sekuestrimin e rreth 40 tonëve drogë, në një nga goditjet më të mëdha të viteve të fundit në rajon. Aksioni po zhvillohet në disa zona të vendit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se hetimet do të thellohen.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth 9 ton marihuanë dhe mbi 1.300 shishe vaj kanabisi gjysmëprodukt u zbuluan te një person juridik në Shkup. Ndërkohë, mbi 31 ton marihuanë dhe biomasë u sekuestruan nga subjekte të tjera në rajonin lindor.
Zëdhënësi i policisë, Goce Andreevski, bëri të ditur se kontrollet janë kryer në bashkëpunim me Administratën Doganore dhe strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa operacioni po zhvillohet nën drejtimin e një prokurori publik për luftën kundër trafikut të drogës.
Autoritetet dyshojnë se disa kompani me licencë për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore kanë keqpërdorur autorizimet ligjore, duke transportuar sasi të mëdha droge drejt Serbisë.
“Po ndërmerren masa për të vërtetuar nëse marihuana e sekuestruar së fundmi në Serbi ka origjinë nga vendi ynë,” deklaroi Andreevski.
Hetimet u intensifikuan pasi një nga të ndaluarit në Serbi rezulton të jetë pjesë e strukturës së pronësisë së një kompanie nga Shkupi. Kontrollet zbuluan dokumentacion me një sërë parregullsish, përfshirë mospërputhje të mëdha mes sasive të deklaruara dhe atyre reale që posedoheshin apo prodhoheshin.
Pas raportit të Komisionit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe njoftimit të prokurorit kompetent, e gjithë sasia e gjetur u hoq nga ambientet e kompanive dhe u konfiskua.
Aksioni vijon edhe në subjekte të tjera juridike në rajonin lindor, ku janë konstatuar shkelje të ngjashme. Autoritetet nuk përjashtojnë arrestime të reja, ndërsa rasti pritet të hapë një debat të fortë mbi kontrollin e industrisë së kanabisit mjekësor në vend.






