
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim të fortë që trondit skenën politike, duke shpallur të pavlefshëm dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Sipas aktgjykimit të publikuar sot, dekreti nuk prodhon asnjë efekt juridik, ndërsa deputetët kanë vetëm 34 ditë kohë për të zgjedhur Presidentin e ri, përndryshe vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe përmbys situatën e krijuar pas dekretit të 6 marsit, duke rikthyer fokusin tek përgjegjësia e Kuvendit për të përmbyllur procesin brenda afateve kushtetuese.
Çfarë vendosi Kushtetuesja:
- Dekreti i Presidentes shpallet i pavlefshëm
- Nuk ka asnjë efekt juridik nga shpërndarja e Kuvendit
- Deputetët kanë 34 ditë për zgjedhjen e Presidentit
- Nëse dështon procesi, vendi shkon në zgjedhje automatike
- Vendimi hyn në fuqi menjëherë
Gjykata gjithashtu anuloi masën e përkohshme të vendosur më 9 mars dhe urdhëroi publikimin e aktgjykimit në Gazetën Zyrtare.
Ky zhvillim rrit presionin mbi klasën politike në Kosovë, pasi çdo vonesë mund të çojë vendin drejt një krize të re institucionale dhe zgjedhjeve të parakohshme.






