
Lufta në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme, pasi Izraeli ka goditur për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë qendrën e Bejrutit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar objektiva raketore të Iranit përgjatë ngushticës së Hormuzit.
Sipas raportimeve, një nga goditjet në kryeqytetin libanez ka shkatërruar plotësisht një ndërtesë në zonën qendrore, jo në bastionet tradicionale të Hezbollahut, duke shkaktuar të paktën 6 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Izraeli ka lëshuar gjithashtu urdhra evakuimi për jugun e Libanit, duke paralajmëruar për sulme të tjera ndaj infrastrukturës që lidhet me Hezbollahun.
Në të njëjtën kohë, ushtria amerikane ka përdorur bomba të fuqishme “deep penetrator” për të goditur bazat raketore iraniane në ngushticën strategjike të Hormuzit, një rrugë jetike për transportin global të naftës, e cila është bllokuar nga Irani që nga nisja e konfliktit.
Situata është përshkallëzuar më tej pas vrasjes së zyrtarit të lartë të sigurisë iraniane, Ali Larijani, për të cilin Teherani ka paralajmëruar një përgjigje “vendimtare”.
Sulmet hakmarrëse të Iranit dhe grupeve aleate kanë vazhduar në disa fronte: në Tel Aviv janë raportuar viktima, ndërsa shpërthime dhe ndërhyrje të sistemeve mbrojtëse ajrore janë regjistruar në Dubai, Irak dhe Arabinë Saudite.
Ndërkohë, në Iran, qytetarët po jetojnë nën frikë të vazhdueshme. Banorë të Teheranit raportojnë se ndihen të pasigurt edhe për të dalë nga shtëpia, ndërsa sulmet dhe tensioni i brendshëm vazhdojnë të rriten.
Konflikti po merr përmasa gjithnjë e më të gjera rajonale, duke përfshirë disa shtete dhe duke rritur frikën për një përshkallëzim të pakontrolluar.



