
Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, mbrojtja e Rexhep Selimit deklaroi se nuk ekzistojnë prova që mbështesin fajësinë e tij për asnjë nga pikat e aktakuzës.
Avokatja Furtuna Sheremeti theksoi se Selimi duhet të shpallet i pafajshëm dhe se, në këto kushte, nuk mund të diskutohet për masë dënimi. Ajo reagoi edhe ndaj kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila ka kërkuar 45 vite burg për secilin nga të akuzuarit, duke e cilësuar këtë masë si të tepruar.
Sipas Sheremetit, një dënim prej 45 vitesh është praktikisht i barabartë me burgim të përjetshëm dhe nuk është proporcional me rrethanat e çështjes, e cila, sipas saj, nuk është provuar.
Prokuroria, nga ana tjetër, ka kërkuar një masë dënimi të përbashkët duke trajtuar totalitetin e pretenduar të sjelljes si bazë për vendimin, ndërsa procesi ndaj ish-zyrtarëve të UÇK-së vijon në Dhomat e Specializuara në Hagë.



