
Procesi për dosjen e rrëmbimit dhe zhdukjes pa gjurmë të trupit të eliminuar fizikisht të Jani Prengës më 17 janar 2020, nga Kamza në kompleksin ‘Golden” të Altin Hajrit në Shijak, ka hyrë në një tjetër fazë.
Gjyqi për të pandehurin pothuajse të vetëm të fashikullit të parë, kopshtarin e kompleksit Festim Bexhdili, po vijon në Apelin e GJKKO-së, teksa shkalla e parë e kishte dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Gjykata e Lartë e ktheu çështjen në Apel.
Prokurorja e SPAK, Elida Kaçkini, depozitoi edhe prova të reja për çështjen.
“Kemi një kërkesë tjetër duke qenë se në kuadër të procedimit penal 62/3, 2022 janë kthyer përgjigje dhe janë dërguar letër-porosi. Konkretisht komunikimet SKY mes të pandehurve, proces që po ndiqet edhe në GJKKO. Janë në interes të këtij procesi, referuar edhe vendimit të Gjykatës së Lartë për rikthimin e çështjes këtu. Është kryer procesverbali i identifikimit të PIN të Dritan Rexhepit, Gentjan Funiqit, Altin Hajrit. Komunikimet lidhen me ngjarjen për të cilën akuzohet dhe Festim Bexhili. Ne vlerësojmë se këto komunikime janë në interes të këtij procesi. Jane marrë akte, 75/2022 është marrë praktika përkatesë për ndihmë juridike autoriteteve franceze”, tha përfaqësuesja e akuzës, sipas raportimit të gazetares së Report Tv, Keti Banushi.
Më tej ajo shpjegoi se janë kryer edhe veprime për të pandehurit e tjerë të çështjes.
“Për Dritan Rexhepin është marrë dhe letër-porosia, edhe për të pandehurin Altin Hajri, i bashkëpandehur në një gjykim në GJKKO. Dhe njëkohesisht është marrë edhe praktika që është derguar nga autoritetet franceze, që tregon mënyrën se si janë marrë komunikimet sky dhe janë bërë pjesë e procesit. Pra mënyra e nderhyrjes për marrjen e komunikimeve. Janë komunikime që janë marrë konform rregullave. Aktet i kemi të listuara, informacion shtesë mbi hetimet e kryeta për rrëmbimin me pasojë vdekjen e Jan Prengës në 17 janar 2020, Kamëz. Komunikime Sky Ecc mes Dritan Rexhepit dhe të tjerëve për rrëmbimin e këtij shtetasi. Komunikimet e Altin Hajrit, Gentjan Funiqi dhe shkresa që janë dërguar nga Ministria e Drejtësisë për marrjen e akteve”, vijoi prokurorja, duke renditur provat me rëndësi, që sipas saj faktojnë përfshirjen e organizatës kriminale të akuzuar, ku një pjesë e të dyshuarve po procesohen më vete.
Bixhdili është i vetmi i dënuar deri tani, pasi kopshtari i kompleksit sipas hetuesve, nuk tregon vendin ku është dërguar trupi i Prengës.
Avokati Ilir Murati tha se provat nuk duheshin pranuar.
“Kërkohet riçelje tjetër me sa kuptuam për të paraqitur prova të reja. Në bindjen time, nuk duhet të pranohen provat. Nëse ka mundësi Prokuroria të na thotë do ketë prova të tjera seancën e radhës apo jo”, u shpreh ai.
Prokurori Behar Dibra u përgjigj se “kjo është kërkesë vazhduese”.
Gjykata pranoi kërkrsën e avokatëve për t’u njohur me aktet e Prokurorisë së Posaçme dhe seanca e radhës u la më 13 maj, ora 09:00.
Prenga u rrëmbye dhe zhduk si hakmarrje për grabitjen e një ngarkese me mbi 100 kg kokainë në portin e Portsmouth në Angli nga vëllai i viktimës, ngarkesë që i përkiste organizatës në fjalë, që sipas hetuesve, drejtohej nga Dritan Rexhepi nga burgu në Ekuador.
Ky i fundit e ka mohuar implikimin në çështje, teksa organizatori tjetër, Altin Hajri, pronari i kompleksit “Golden” ku ndodhi krimi, rezulton ende në arrati.
Bexhdili u dënua fillimisht me burgim të perjetshëm, por më pas vendimi u prish nga Gjykata e Lartë duke e kthyer për rigjykim në Apelin e GJKKO-së (që më parë e kishte konfirmuar). SPAK dyshon se Bexhdili ka dijeni ku është fshehur apo asgjësuar trupi i Jan Prengës, por ai e ka mohuar një gjë të tillë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të Altin Hajrit, pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, i akuzuar për pesë vepra penale në lidhje me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës në 17 janar të vitit 2020.
Dritan Rexhepi i arrestuar më Stamboll në 10 nëntor 2023, u ekstradua më 8 janar 2025 në Tiranë dhe u dërgua direkt në burgun 313, nën masa të rrepta sigurie./shqiptarja