
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po i afrohet fazës përfundimtare. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ata akuzohen për ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si dhe për burgosje, zhdukje me forcë dhe përndjekje. Sipas aktakuzës, krimet pretendohet të jenë kryer mes marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Faza finale e gjykimit
Nga 9 deri më 18 shkurt pritet të mbahen deklaratat përmbyllëse të Prokurorisë, mbrojtësve të viktimave dhe ekipeve mbrojtëse. Pas kësaj faze, çështja do t’i kalojë trupit gjykues raporton REL.
Gjykatësit kanë deri në tre muaj kohë për të marrë vendimin, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë nëse kërkohet më shumë kohë për shqyrtim.
Si nisi çështja
Aktakuza ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor 2020, ndërsa gjykimi filloi më 3 prill 2023. Që atëherë, janë paraqitur mijëra prova materiale dhe janë dëgjuar dhjetëra dëshmitarë.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që kishte në shënjestër kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së. Nga ana tjetër, ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një zinxhir komandues të mirëpërcaktuar dhe kanë hedhur poshtë akuzat.
Dëshmitarë të rëndësishëm
Mes dëshmitarëve të mbrojtjes kanë qenë edhe figura ndërkombëtare si diplomati amerikan Christopher Hill dhe ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, të cilët deklaruan se nuk kishin informacion që e lidhte Thaçin me urdhra për veprime të paligjshme.
Ndërkohë, në proces marrin pjesë rreth 155 viktima, ndërsa Prokuroria ka thirrur mbi 120 dëshmitarë.
Çfarë ndodh më pas?
Pas vendimit për këtë çështje, ish-presidenti Hashim Thaçi mund të përballet edhe me një proces të ndarë që lidhet me administrimin e drejtësisë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës. Edhe pse janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, ato operojnë në Hagë me staf ndërkombëtar dhe hetojnë krimet e pretenduara të periudhës 1998–2000.
Procesi konsiderohet një nga gjykimet më të rëndësishme për historinë e pasluftës në Kosovë, me ndikim të mundshëm edhe në skenën politike dhe shoqërore të rajonit.






