Elisa Spiropali deklaroi se Shqipëria do ta ngrejë zërin në çdo forum ndërkombëtar për të garantuar një proces të drejtë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se nuk duhet të shkelen standardet ndërkombëtare ligjore.

Në një konferencë të përbashkët me homologun nga Kosova, Glauk Konjufca, Spiropali u shpreh se pretenca e paraqitur nga prokurorët nuk përbën drejtësi të plotë.

“Shpresojmë që gjykatësit në Hagë t’i përgjigjen thirrjes së drejtësisë dhe jo thirrjes së prokurorëve, që ne gjykojmë se nuk i kanë bërë drejtësi me pretencën e tyre. Ne do ta ngremë zërin kudo”, tha ajo.

Ministrja theksoi se Shqipëria dhe Kosova nuk janë “në garë” për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, por në një proces koordinimi të qëndrimeve.

“Nuk jemi në garë se kush i ka mbrojtur më shumë të drejtat, por jemi në test të koordinimit dhe harmonizimit të qëndrimit tonë, jo vetëm ndaj drejtësisë ndërkombëtare në Hagë, por edhe mbi legjitimitetin e luftës së UÇK-së dhe të drejtën e këtij populli për të mbrojtur veten”, u shpreh Spiropali.

Ajo theksoi se Shqipëria nuk ndërhyn në proceset gjyqësore, por ka një detyrim moral të kërkojë që drejtësia të jetë e plotë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Sot në Hagë përballen me drejtësinë udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Ne nuk paragjykojmë asnjë proces gjyqësor, por kemi obligim moral të themi se drejtësia duhet të jetë e plotë, pa shkelje të standardeve ndërkombëtare ligjore dhe pa shkelje të të drejtave të njeriut”, përfundoi ajo.

Deklaratat e Spiropalit vijnë në një moment të ndjeshëm për procesin në Hagë, ndërsa çështja e ish-udhëheqësve të UÇK-së vijon të jetë temë e fortë debati në Shqipëri dhe Kosovë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu