Popoviq ishte arrestuar të premten, 18 korrik, në pikëkalimin kufitar në Bërnjak me dyshimin se ka kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”. Po atë ditë, Popoviqi gjatë një fjalimi në Hoçë të Madhe të Rahovecit, e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës organizatë terroriste.

Gjatë fjalimit, Popoviq po ashtu akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për siç tha, heshtje ndaj autorëve të krimeve ndaj serbëve.

Për arrestimin, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të shtunën para mediave, tha se Popoviq do të përballet me drejtësinë, e Policia njoftoi se në cilësi të provave materiale ia ka sekuestruar dy telefona celularë.

Për cilësimin që i bëri UÇK-së, ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Ky është mentaliteti i vartësve të Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal. Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri. Ne, kategoritë e dala nga lufta, nuk do të heshtim ndaj fyerjeve që synojnë të fyejnë sakrificën për liri dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së.

E në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thuhet se për këtë ndalim është njoftuar Brukseli zyrtar.

“Me urdhër të Albin Kurtit, ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën, Igor Popoviq, u arrestua mbrëmë në Kosovë, përgjegjës për çështjet ligjore, i cili mori pjesë sot në Rahovec në përkujtimin e përvjetorit të vuajtjeve të serbëve në rajonin e Rahovecit në duart e UÇK-së kriminale. Në të njëjtën kohë, Kurti dëshiron të provokojë një krizë të re në terren dhe t’u dërgojë një mesazh serbëve se nuk ka paqe apo drejtësi për ta. Drejtori i Zyrës për Kosovën menjëherë informoi Brukselin për arrestimin e bashkëpunëtorit të tij dhe kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm, si dhe mbrojtje për misionet që veprojnë në territorin e Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë./Koha Ditore

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu