
Gjykata Speciale në Hagë ka shtyrë fillimin e gjykimit në procesin e dytë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të tjerëve, duke vendosur që seanca e parë të mbahet më 27 shkurt 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, më 28 janar 2026, Gjykatësi i Vetëm Kristofer Gosnell miratoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, duke urdhëruar që gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit të mos nisë më 24 shkurt, siç ishte planifikuar fillimisht, por tre ditë më vonë.
“Gjykimi në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit do të fillojë të premten, më 27 shkurt 2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Ky është procesi i dytë gjyqësor në Hagë ndaj Thaçit dhe bashkë të akuzuarve. Në këtë fazë të re të procedurës, Prokuroria ka bërë të ditur se pritet të paraqiten tre dëshmitarë, ndërsa natyra dhe përmbajtja e dëshmive të tyre tashmë janë zbuluar.
Shtyrja e gjykimit vjen në një kohë kur proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë të ndiqen me vëmendje të lartë politike dhe publike, si në Kosovë ashtu edhe në rajon.






