Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar të enjten fletarrestime për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, si dhe për zyrtarët e Hamasit, duke i akuzuar ata për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit për luftën në Rripin e Gazës, dhe për sulmet e tetorit 2023 në Izrael.
Ky vendim nënkupton se Netanyahu dhe të tjerët tani kërkohen ndërkombëtarisht si të dyshuar dhe ka të ngjarë t’i izolojë ata edhe më shumë.
Njëkohësisht, ky vendim ka mundësi t’i ndërlikojë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi për t’i dhënë fund luftës mbi njëvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Megjithatë, këto fletarrestime mund të jenë të kufizuara në praktikë, duke qenë se Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, nuk janë anëtarë të kësaj gjykate, ndërsa disa zyrtarë të Hamasit janë vrarë tashmë në këtë luftë.
Netanyahu dhe liderët e tjerë izraelitë e kanë dënuar kërkesën e kryeprokurorit të GJNP-së, Karim Khan, për lëshimin e fletarrestimeve për ta, duke e cilësuar si antisemitike.
Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, e kishte kritikuar kërkesën e Khanit dhe kishte shprehur përkrahje për të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten kundër Hamasit. Edhe Hamasi e kishte kritikuar kërkesën e kryeprokurorit.
“Gjykata konsideron se ka arsye të bazuara për të besuar se të dy individët, qëllimshëm dhe me dijeni, ia mohuan popullsinë civile në Gazë qasjen në objektet e domosdoshme për mbijetesën e tyre, duke përfshirë ushqimin, ujin, ilaçet dhe furnizimet mjekësore, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike”, shkroi paneli prej tre gjyqtarësh në vendimin e tyre për të lëshuar fletarrestime për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Gjykata lëshoi fletarrestim edhe për Mohammed Deif, njërin nga liderët e Hamasit. Kryeprokurori i GJNP-së kishte kërkuar fletarrestime edhe për dy figurat e larta të Hamasit, Yahya Sinwar dhe Ismail Haniyeh, por që të dy janë vrarë në luftën në Gazë.
Ç’është Gjykata Ndërkombëtare Penale?
GJNP-ja është themeluar më 2002, si gjykatë e përhershme e nivelit më të lartë për ndjekjen penale të individëve përgjegjës për krimet më të rënda në botë – krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidin dhe krimin e agresionit.
Statuti i Romës, i cili ka paraparë krijimin e GJNP-së, është miratuar më 1998, dhe ka hyrë në fuqi kur ka arritur 60 ratifikime, më 1 korrik të vitit 2002. Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka mbështetur GJNP-në, por gjykata është e pavarur.
Shtetet anëtare të GJNP-së, gjithsej 124, e kanë nënshkruar Statutin e Romës. Dhjetëra vende nuk e kanë nënshkruar dhe nuk e pranojnë juridiksionin e gjykatës për krime lufte, gjenocid dhe krime të tjera. Ndër to janë Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina.
Pa një forcë policore, GJNP-ja varet nga shtetet anëtare për arrestimin e të dyshuarve, gjë që është dëshmuar të jetë pengesë e madhe për ndjekje penale.
GJNP-ja përfshihet kur vendet nuk munden apo nuk shprehin vullnet t’i ndjekin penalisht krimet e kryera në territorin e tyre.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha në shtator se kishte paraqitur dy dokumente ligjore që sfidojnë juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) dhe argumentojnë se gjykata nuk i kishte dhënë Izraelit mundësinë për t’i hetuar vetë akuzat, para se të kërkonte fletarrestime.
“Asnjë demokraci tjetër me një sistem ligjor të pavarur dhe të respektuar, si ai i Izraelit, nuk është trajtuar në këtë mënyrë paragjykuese nga prokurori”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Oren Marmorstein, në X.
Ai tha se Izraeli mbetet “i palëkundur në angazhimin e tij për sundimin e ligjit dhe drejtësinë” dhe do të vazhdojë të mbrojë qytetarët e tij kundër militantizmit.
GJNP-ja është gjykatë e instancës së fundit që ndjek penalisht rastet vetëm kur autoritetet vendore të zbatimit të ligjit nuk munden, ose nuk duan t’i hetojnë. Izraeli nuk është shtet anëtar i GJNP-së. Vendi ka pasur vështirësi të hetojë vetveten në të kaluarën, thonë grupet për të drejtat e njeriut.
Pavarësisht fletarrestimeve, asnjë nga të dyshuarit nuk pritet të dalin para gjyqtarëve në Hagë së shpejti. Vetë gjykata nuk ka politikë për të zbatuar fletarrestimet, por mbështetet në bashkëpunimin e shteteve anëtare.
Megjithatë, rreziku për t’u arrestuar mund ta bëjë të vështirë për Netanyahun dhe Gallantin të udhëtojnë jashtë vendit, edhe pse presidenti rus, Vladimir Putin, i cili kërkohet nga GJNP-ja për krime të dyshuara lufte në Ukrainë, tregoi kur e vizitoi Mongolinë, vend anëtar i gjykatës, rishtazi se ai mund të udhëtojë jashtë vendit, dhe të mos arrestohet prapëseprapë.
Khan bëri kërkesë për fletarrestime në maj, duke i akuzuar Netanyahun dhe Gallantin për krime, duke përfshirë vrasje, sulme të qëllimshme ndaj civilëve dhe përndjekje.
Në lidhje me liderët izraelitë, Khan në mënyrë specifike i nënvizoi si arsye për fletarrestime “shkaktimin e urisë tek civilët si mjet lufte”, “shkaktimin e vuajtjeve të mëdha me qëllim”, “udhëheqjen e qëllimshme të sulmeve ndaj popullsisë civile” dhe “veprimet e tjera çnjerëzore”.
Khan i akuzoi tre liderët e Hamasit se janë përgjegjës për “shfarosje”, “rrëmbim”, “përdhunim dhe vepra të tjera të dhunës seksual “, “torturë” dhe “vepra çnjerëzore”, gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerë.
Sulmi i Hamasit e nxiti luftën e Izraelit në Gazë.
Prej atëherë, hakmarrja e Izraeli e ka shkatërruar Gazën, si dhe i ka vrarë mbi 44.000 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Grupet për të drejtat e njeriut e kanë përshëndetur vendimin, i cili u mor mbi gjashtë muaj pasi Khani e bëri kërkesën.
“Fletarrestimet e GJNP-së për liderët e lartë izraelitë dhe një zyrtar të Hamasit thyejnë perceptimin se disa individë janë të pakapshëm për ligjin”, tha në një deklaratë Balkees Jarrah, drejtoreshë për drejtësi ndërkombëtare në Human Rights Watch.