
Tiranë – Gjykata e Tiranës vendosi sot lirimin e 19 qytetarëve të arrestuar pas protestës së 24 janarit para Kryeministrisë, duke caktuar për ta masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Megjithëse Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg për 5 prej tyre dhe arrest shtëpie për 5 të tjerë, trupi gjykues vendosi lirimin e të gjithë të arrestuarve, duke mos pranuar kërkesat e organit të akuzës.
Lista e protestuesve të liruar përfshin:
Ergi Shkurta, Ervis Mirashi, Ardian Toli, Sali Saraci, Besnik Bali, Leonard Xhabexhiu, Rei Hasku, Alket Toska, Edison Huli, Blendi Spaho, Elton Hoti, Roni Bizhoti, Hamza Cani, Tomas Koja, Ardian Lici, Anduel Lleshi, Anastas Mema, Alan Lika dhe Klodian Bajrami.
Avokatja Eda Grimçi deklaroi se arrestimet ishin të paligjshme dhe të pambështetura në prova. Sipas saj, për vetëm 5 raste ishin paraqitur pamje filmike që nuk lidheshin me të arrestuarit, ndërsa për 14 raste të tjera mungonin plotësisht prova konkrete, duke u mbështetur vetëm në raporte shërbimi të policisë. Ajo theksoi se, sipas praktikës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, masa e arrestit nuk mund të vendoset pa prova që faktojnë veprimin konkret.
Edhe deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu i cilësoi akuzat si shpifje dhe arrestimet si përpjekje për të frikësuar qytetarët. Ai paralajmëroi se opozita do të vijojë protestat, ndërsa denoncoi veçanërisht shoqërimin e një të mituri gjatë protestës, duke e quajtur ngjarjen të papranueshme.
Seanca u ndoq nga deputetë të Partisë Demokratike dhe qytetarë të shumtë që kishin mbërritur për të mbështetur të arrestuarit. Deputetët Belind Këlliçi dhe Besart Xhaferri denoncuan dhunën policore dhe paralajmëruan kallëzim penal për veprimet e Policisë së Shtetit, përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës dhe dhunën ndaj protestuesve, mes tyre edhe të mitur.
Në përfundim të seancës, avokati Marash Logu ngriti dyshime mbi deklarimet e Policisë së Shtetit për numrin e efektivëve të lënduar, duke theksuar se vetëm 4 punonjës policie kanë deklaruar vetë se janë dëmtuar, ndryshe nga shifrat e bëra publike.






