Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për gazetarin Elio Laze, i dyshuar për gjobëvënie ndaj një zyrtari publik.

Sipas hetimeve, 37-vjeçari i kishte kërkuar 40 mijë euro zyrtarit Klaus Shaqiri në këmbim të fshirjes së disa lajmeve nga portali që administronte, Priza.al. Pas denoncimit, policia ndërhyri duke e arrestuar dhe gjatë kontrollit në zyrën e tij u gjetën 5 mijë euro.

Në dëshminë e tij, Laze ka mohuar akuzat, duke pretenduar se “personi ka lënë një zarf, nuk e di çfarë kishte brenda”.

Gazetari akuzohet për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”. Sipas policisë, ai dyshohet se ka shantazhuar një punonjës të administratës publike për t’i marrë 5 mijë euro, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan paratë dhe katër telefona celularë.

Autoritetet bëjnë me dije se i arrestuari rezulton me precedent për armëmbajtje pa leje, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.

i

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu