Këtë të martë, 2 dhjetor 2025, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga Sandër Beci, Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, do të mblidhet për të shqyrtuar padinë e bërë nga kryeministri Edi Rama dhe Këshilli i Ministrave për konfliktin e kompetencave mes ekzekutivit dhe Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion për pezullimin e zëvendëskryeministres dhe njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Numri dy i kabinetit u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me tunelin e Llogarasë, ndërsa më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe.

Më 22 nëntor, GJKKO verifikoi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për Ballukun.

Masa e “arrestit në shtëpi” u caktua për kreun e ARRSH-së Gentian Gjyli dhe administratorin e KESH, Erald Elezi, pas hetimeve të kryera për Unazën, specifikisht lotin e katërt të saj.

Pas akuzave nga kampi opozitar, kreu i qeverisë, Edi Rama mohoi çdo ndërhyrje dhe deklaroi dje se ankimin e vendimit të GJKKO-së e ka bërë si kryetar i qeverisë, për çështje parimore dhe jo personale.

Sipas tij, legjitimimi i pezullimit të ministrave me vendim të prokurorit apo gjyqtarit do të krijonte një precedent të rrezikshëm për funksionimin e pushteteve në vend.

“Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flasë për një proces gjyqësor. Me një pjesë nuk jemi kuptuar. Prandaj jam këtu duke e nisur me pyetjen, a e dini se kush e ka ankimuar në Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë si kryeministër dhe jo për individ, një ministre, që në këtë rast është edhe zv.kryeministre, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes në një pushtet të pavarur, e mos marrjes së kompetencave të kryeministrit dhe presidentit nga një prokuror e gjykatës.

Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun, për një proces që vendos jo për mua, por për balancën e pushteteve, për lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, të drejtën ekskluzive të parlamentit për të miratuar ose jo përbërjen e një qeverie”, ishte reagimi më i fundit i Ramës…(Lexo më shumë)

Edhe në podcastin e tij të dielën, kryeministri citoi Komisionin e Venecias dhe Gjykatën e Strasburgut sa i takon këtij rasti, që siç ai e ka theksuar shpesh, është i paprecedentë edhe përtej kontinentit.

“Qëndrimi i Venecias është shumë i prerë: Gjykatat nuk duhet të pezullojnë anëtarët e qeverisë, sepse duke bërë këtë, së pari cenojnë balancën e pushteteve. Për sa kohë një ministër është figurë politike, pjesë e ekzekutivit, përgjegjës para Parlamentit e kryeministrit, nëse Gjykata e pezullon ndërhyn në qeveri, merr kompetenca që i takojnë Kryeministrit dhe Presidentit, dhe kjo konsiderohet shkelje e palejueshme e ndarjes së pushteteve”, deklaroi Rama më 30 nëntor./klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu