
Gjykata Kushtetuese njofton se sot, në orën 17:00, Kryetarja e saj, znj. Holta Zaçaj, do të zhvillojë një komunikim me gazetarët në lidhje me vendimmarrjen për çështjen e kërkuar nga Erion Veliaj, me objekt “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025, për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë”.
Në kërkesën e paraqitur, Veliaj pretendon se vendimi i qeverisë për shkarkimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, në shqyrtim është edhe kërkesa për shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025, për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në Tiranë, në pjesën që lidhet me këtë bashki.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Kushtetuese do të sqarojë edhe pezullimin e efekteve juridike të këtij dekreti, në përputhje me nenin 115 të Kushtetutës, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga trupa gjykuese.
🕓 Komunikimi do të zhvillohet sot në orën 17:00, në ambientet e Gjykatës Kushtetuese.







