Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mbylljen e platformës TikTok, duke kritikuar qëndrimin e gjykatës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkroi se sipas Gjykatës Kushtetuese rezulton sikur shumica e prindërve dhe mësuesve shqiptarë kanë qenë gabim kur kërkuan mbylljen e aplikacionit.

Sipas kryeministrit, TikTok u rihap falë mirëkuptimit të kompanisë për të marrë masa shtesë sigurie, të cilat sipas tij erdhën pikërisht si pasojë e vendimit për ta mbyllur përkohësisht platformën.

“Gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TikTok-ut. Fatmirësisht ne e rihapëm TikTok-un falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat ekstra që u morën prej saj, pikërisht falë mbylljes”, shkruan Rama.

Ai shton se nëse do të ishte ndjekur vetëm qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese, aplikacioni nuk do të ishte mbyllur dhe sipas tij as masat e reja të sigurisë nuk do të ishin marrë.

Rama thekson se falë kësaj mase prindërit dhe mësuesit mund të ndihen më të qetë, ndërsa paralajmëron se vendimi i Kushtetueses mund të inkurajojë sipas tij “shpifësit”.

Gjykata Kushtetuese zbardhi më herët vendimin  duke deklaruar se kjo masë ishte antikushtetuese dhe cenoi lirinë e shprehjes.

Sipas Kushtetueses, aplikacioni TikTok nuk mund të bllokohej përmes një vendimi qeverie, pasi kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve mund të bëhet vetëm përmes një ligji të miratuar nga Kuvendi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pas shqyrtimit të çështjes për bllokimin e platformës, një masë që kishte ngjallur debat për ndikimin e saj në të drejtat dhe liritë e përdoruesve.

“Mbyllja e TikTok me vendim qeverie ishte antikushtetuese. Kufizimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve mund të bëhet vetëm me ligj”, argumenton Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja thekson se vendime të tilla duhet të mbështeten në bazë ligjore dhe të respektojnë parimet e garantuara nga Kushtetuta për lirinë e shprehjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu